Samiti i BE-Ballkani Perëndimor do të mbahet në Tiranë të martën e 6 dhjetorit. Për të bërë të mundur mbarëvajtjen e këtij samiti, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash sigurie të nivelit të lartë, një prej të cilave është dhe bllokimi i disa prej rrugëve kryesore.
Vetë kreu i qeverisë më herët, ka qenë i prerë teksa ka deklaruar se masat e sigurisë do të jenë shumë të rrepta dhe kjo gjë sipas tij nuk negociohen me askënd. Rama theksoi se fakti që Tirana do të mirëpresë liderët e BE dhe Ballkanit Perëndimor nuk ka ndodhur kurrë më parë, dhe sipas tij masat e sigurisë bazohen në standartet e vendosura nga vetë Këshilli Evropian.
Komunikimin e masave të sigurisë e bëri fillimisht Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike Rebani Jaupi dhe më pas edhe Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.
Policia e Shtetit do të ndalojë qarkullimin e automjeteve dhe qytetarëve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te Sheshi “Nënë Tereza”; bulevardin “Bajram Curri” nga kryqëzimi me rrugën e “Elbasanit” deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”; rruga “Papa Gjon Pali II” nga ETC-RTSH-Stadium; rruga “Dervish Hima”; rruga “Asim Zeneli”; rruga “Themistokli Gërmenji”, pranë rrugës së Elbasanit dhe te kryqëzimi afër rrugës “Papa Gjon Pali II”; rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”; rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”; rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe rrugën “Papa Gjon Pali II”; rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC; rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit; rruga “Skerdilajd Llagami” dhe rruga “Faik Konica”.
“Për arsye sigurie dhe për të garantuar mbarëvajtjen e këtij Samiti, do të ketë bllokime dhe devijime të disa akseve interurbane dhe urbane, të kryeqytetit, duke nisur nga ora 06:00, e datës 06.12.2022, deri në orën 18:00, të datës 06.12.2022.
Bllokimi i lëvizjes dhe devijimi në autostradat dhe rrugët interurbane, që të çojnë drejt Tiranës, do të fillojë në orën 07:00, ndërsa në qytet, në perimetrin e sigurisë, bllokimi do të fillojë në orën 06:00, ndërsa në rrugët e tjera që përfshihen në itinerarin e lëvizjeve në kuadër të Samitit, bllokimi do të fillojë në orën 08:00.
- Do të bllokohen këto akse:
– Rruga “Rinas – Qafë Kashar” dhe anasjelltas;
– Autostrada “Tiranë- Vorë” dhe anasjelltas;
– Unaza e Madhe, nga ish-sheshi “Shqiponja”, deri te rrethi i Sanatoriumit, dhe anasjelltas;
– Rruga e Elbasanit nga rrethi i Sanatoriumit deri tek ura e Elbasanit dhe anasjelltas.
-Gjithashtu, të gjitha rrugën që lidhin rrugën e Elbasanit, me rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji”, “Ismail Qemali”, “Mustafa Matohiti”, “Jul Variboba”, “Faik Konica”, “Fatmir Haxhiu”, “Gjeneral Nikols”, rrugën e Atjonit, “Sheh Ahmet Pazar”, si dhe të gjitha rrugët që lidhin bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me rrugët “Ibrahim Rugova”, “Ukraina e lirë” dhe “Lek Dukagjini”, do të jenë të bllokuara.
Në këto segmente nuk do të lejohet parkimi i mjeteve dhe për këtë arsye janë njoftuar të gjithë banorët e zonës, për mosparkim të mjeteve në këto segmente. Mjetet që nuk janë larguar do të spostohen me mjete ngritëse, nga Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit.
- Për mjetet e emergjencave mjekësore dhe ato të emergjencave civile, nuk do të ketë pengesa, perveç kontrolleve nga punonjësit e Policisë, në perimetrin e sigurisë. Sqarojmë se, të gjitha mjetet e emergjencave që do t’u duhet të lëvizin në drejtim të QSUT-së dhe spitalit Shefqet Ndroqi, duhet të ndjekin unazën lindore, kur vijnë nga juglindja, për të vijuar nga Shkoza-Kryegjyshata Botërore-Farka-Sanatoriumi-Kodra e Priftit-QSUT.
Gjithashtu, emergjencat mjekësore që vijnë të Spitali i Traumës, nga veriu dhe jugu, gjatë kohes së bllokimit të akseve rrugore, të ndjekin akset alternative: “Paskuqan-rruga “Azem Galica”-shinat e trenit-Spitali i Traumës” dhe “Rruga e Shkodrës-rruga “Petrit Radovicka”-rruga “Gjergj Legisi”-rruga “Lord Bajron”-Spitali i Traumës”.
- Gjithashtu, sqarojmë se: -Për drejtuesit e mjeteve që vijnë nga veriu, me destinacion aeroportin e Rinasit, rrugëkalimi do të bëhet nga aksi “Fushë Prezë – Rinas”; -Për drejtuesit e mjeteve që vijnë nga Durrësi, me destinacion aeroportin e Rinasit, rrugëkalimi do të bëhet nga aksi “Vorë- rruga e vjetër e Fushë Krujës”; – Për drejtuesit e mjeteve që vijnë nga juglindja, me destinacion aeroportin e Rinasit, rrugëkalimi do të bëhet nga aksi “Elbasan – rrethrrotullimi TEG-ut- unaza lindore- Paskuqan -Kamëz- kryqëzimi i Valiasit- Rinas””, njofton Policia.
Po ashtu, edhe Policia Bashkiake e Tiranës ka njoftuar disa nga masat e marra për mbarëvajtjen e samitit të 6 dhjetorit.
Sipas njoftimit, policia bashkiake bën me dije se ka nisur lirimi i rrugëve dhe rrugicave brenda itinerarit ku do kalojnë personalitetet e larta shtetërore, dhe në zonën e kuqe ku lëvizja me automjete do të jetë e ndaluar nga ora 06:00-18:00.
“Në zbatim të masave të sigurisë të vendosura në planin e përbashkët të masave me Policia Rrugore Tiranë 🚔, të hartuar për të garantuar Samitin e BE-së, i cili do të zhvillohet në datën 6 Dhjetor në Tiranë, shërbimet e Policisë Bashkiake dhe ato të Policisë Rrugore, pas vendosjes së sinjalistikës provizore ndaluese nga Bashkia Tiranë , si dhe pas njoftimeve të vendosura në të gjitha automjetet e parkuara , po lirojnë rrugët e rrugicat brenda itinerarit ku do të kalojnë dhe qëndrojnë personalitetet e larta shtetërore, si dhe zonën e kuqe , brenda së cilës për shkaqe sigurie, nuk do të lejohet parkimi dhe lëvizja me automjete në datën 6 Dhjetor, nga ora 6:00-18:00.
Duke falenderuar qytetarët 🧍♂️ për mirëkuptimin, u rikërkojmë, të lëvizin ♻️ automjetet e tyre private, të cilat i kanë ende të parkuara brenda kësaj zonë të kuqe, pasi në të kundërt do të lëvizen me mjet ngritës, nga shërbimet policore, si dhe të kufizojnë sa të mundin lëvizjet me automjet në qytet, në datën 🗓️ 6 Dhjetor”, njofton policia bashkiake.
/rtsh.al/