Ministri i Kulturës në Itali, Gennaro Sangiuliano dha dorëheqjen pas një skandali me të dashurën e tij të fshehtë, Maria Rosaria Boccia, e cila postoi në LinkedIn se ishte emëruar si këshilltare e tij, duke tronditur kështu qeverinë e Melonit.
Në një intervistë të dhënë të mërkurën e 4 shtatorit në një televizion publik italian, 62-vjeçari pranoi lidhjen me Boccian dhe punësimin e saj si konsulente , ndërsa të premten, ai i dorëzoi dorëheqjen kryeministres Georgia Meloni, por mohoi se kishte thyer ndonjë rregull ministror.
Sangiuliano gjithashtu i kërkoi falje gruas së tij në intervistën e së mërkurës dhe pretendoi se ai e kishte ndërprerë lidhjen e tij me Boccian gjatë verës. Ai tha se e takoi për herë të parë në Napoli në maj, përpara se miqësia e tyre të kalonte në atë që ai e quajti një marrëdhënie sentimentale.
“Midis qëndrimit në qeveri dhe bashkëshortes sime, familjes dhe qetësisë, zgjodha të dytën”, ishte e vetmja fjali nga Gennaro Sangiuliano, krahas letrës së dorëheqjes së lëshuar. Ish-ministri është tronditur nga historia e tij personale, që po bën xhiron e botës.
Kryeministrja italiane, Georgia Meloni, në reagimin për mediat, u shpreh: “Nëse dikush mendon se situata si ajo e Sangiulianos mund të dobësojnë qeverinë, e ka gabim. Sangiuliano gaboi, por sapo mbreti vdes, një tjetër lind. Një ministër dha dorëheqjen, punë të mbarë për ministrin e ri. Dhe prandaj kam ndërmend ta bëj punën time, ta bëj mirë dhe në bazë të parimeve ligjore.
E falenderoj Sangiulianon për punën që ka bërë këto dy vite. Si gjithmonë, kur t’i ndërton diçka bën më pak zhurmë e bujë, por puna që ai ka bërë ka qenë e rëndësishme, siç është rritja e ndjeshme e numrit të vizitorëve dhe e të ardhurave nga realitetet e shumta kulturore që ka Italia. Ishte një zgjedhje inteligjente për të ndërprerë turpin e muzeve dhe siteve arkeologjike të mbyllura gjatë pushimeve dhe për të nisur projekte të mëdha që kishin ngecur për dekada”, u shpreh Meloni për Corriere della Sera.
Sa i përket Maria Rosaria Boccia, Meloni shtoi: “Nuk mendoj se duhet të grindem me këtë person, them se një grua duhet të fitojë një hapësirë në shoqëri është diametralisht e kundërt me atë të këtij personi”.
Boccia i konsideroi “seksiste” qëndrimet e kryeministres Meloni ndaj saj, kur ajo e përkufizoi atë si “person tjetër” në televizion: “Kushdo që i referohet vlerave të të qenit grua ka të drejtë dhe detyrë të mbrojë dinjitetin e saj si çfarë bëri personi tjetër (Meloni). Pyes veten se përse më trajtojnë me arrogancë. Sjellja seksiste duhet denoncuar gjithmonë, siç bëri edhe duke përdorur rrjetet sociale, sepse një grua duhet të mbrojë dinjitetin e saj pavarësisht nga roli që ka”, tha ajo.
Por Sangiuliano, i cili tani largohet nga drejtimi i Ministrisë së Kulturës thotë se kërkon vetëm anonimitetin, një jetë të qetë jashtë qendrës së vëmendjes, teksa dhe hija e dyshimit e ka mbuluar.
“Boccia lëvizi i shtyrë nga kushedi çfarë, apo kushedi kush”, është ajo që pretendojnë gazetarët që mbështesin ekstremin e djathtë.
“Ditët e fundit, për Sangiuliano kanë mbërritur shumë thashetheme dhe pakujdesi: muhabet pa bazë konkrete, ndoshta edhe shpifje për jetën dhe të shkuarën e Maria Rosaria Boçia-s, histori që mbulojnë kompleksitetin e një historie që në realitet duket shumë banale. Fakti është që ish-drejtori i Tg2 është brenda këtij zbulimi, çfarë ishte e vërtetë dhe çfarë ishte e rreme?”, shkruajnë ata.
“Il Domani” hodhi një hipotezë, ende për t’u vërtetuar, se biznesmenia mund të ketë shkarkuar edhe bisedat e “WhatsApp” nga celulari i ministrit, me përmbajtje apo informacion që ka të bëjë me anëtarët e tjerë të qeverisë.
Pasardhësi i tij, ndërkohë, tashmë është aty, i zgjedhur ditë më parë: Alessandro Giuli. Ai nuk është një person kushdo. Ai është mik i Giorgia Melonit, ndërsa motra e tij punon si shefe e departamentit të zyrës së shtypit në Dhomën e Qeverisë.
Gjithsesi, vëmendjen më të madhe e mori pikërisht intervista e biznesmenes, që po ashtu është e njohur në rrjetet sociale, e cila nxori zbuluar ish-ministrin e kulturës. “Ka edhe gra të tjera të përfshira në këtë mes. Gennaro Sangiuliano është larguar prej kohësh nga e shoqja. Bën mirë të thotë të vërtetën, ose unë pastaj do t’i hap të gjitha letrat që kam në dorë”. Gruaja e përfshirë në aferën e ministrit të dorëhequr italian të kulturës, komentoi largimin e tij nga posti, duke i thënë se të gjithë këtë situatë mund ta kishte shmangur nëse do të thoshte të vërtetën që në fillim.
Ajo vazhdimisht mohon ta ketë nxitur dikush ose të jetë spiune. Në fund të intervistës që dha pak ditë më parë, gazetarja i bëri një pyetje, që e vuri në vështirësi. “Thonë se objektivi yt për t’u afruar me qeverinë Meloni nuk ishte Sangiuliano, por ministri i Bujqësisë, Francesco Lollobrigida”, tha ajo, ndërsa Boccia nuk ngurroi të përgjigjej: “As nuk e njoh, nuk jemi takuar kurrë përveçse më 5 gusht 2023 në Pompei, për kandidaturën e kuzhinës italiane si trashëgimi e UNESCO-s”, u shpreh biznesmenia.
Nga ana tjetër, reagimet nuk mungojnë dhe njëri prej tyre është ai i ish-bashkëshortit të Boccias, i cili shprehet se nuk është aspak i befasuar nga kjo gjë. “Më vjen keq për ministrin, sepse nuk ia merr mendja se çfarë e pret nga ajo femër!”, tha ai, në një deklaratë të rëndë për ish-partneren.
I pyetur nëse ishte bashkëshorti i Boccias për 10 vite, ai zgjodhi të përgjigjej me ironi. “A jeni çmendur? Dhjetë vjet me Marian? Absolutisht jo, një vit më mjaftoi ta njihja”, tha ai.
Për ministrin në largim, mohimi i fakteve, sikurse u tha nga Boccia, sikurse dolën në gazeta, është qëndrim i palëkundur. Duket se nuk ka në plan të pranojë asnjë nga akuzat. Ai është gati të luftojë me ato që i konsideron “fake news”.
Në ditët në vijim, avokatët e tij do të bëjnë një ankesë kundër Boccias.
“Publikimi i njëpasnjëshëm i fotove dhe materialeve të tjera, që ndodhi pas refuzimit të nominimit të Boccias, na duket se është një formë presioni të panevojshëm, do ta vlerësojnë prokurorët”, thotë avokati Silverio Sica.
Gjithashtu pritet të mbërrijnë ankesa edhe ndaj mediave që raportuan detaje, që mbrojtja e Sangiuliano i konsideton të pasakta. Perdja praktikisht ka rënë, por Sangiuliano mbetet në llogore, është metafora që përdorin mediat italiane.
Për skandalin ka reaguar dhe ish-partnerja e Silvio Berlusconit. “Amatorë” shkruan Francesca Pascale në rrjetet sociale sipër një fotoje të Berlusconit. Referenca e ish-partneres së liderit dhe themeluesit të Forza Italia, me të cilën kishte një lidhje 8-vjeçare nga 2012 deri në 2020, është për Gennaro Sangiuliano dhe Maria Rosaria Boccia.
Pascale vendosi të postojë në rrjetet e saj sociale një foto të Berlusconit i menduar me krahët pas shpine dhe kokën ulur. Imazhi shoqëron shkrimin ‘Dilettanti’, duke iu referuar rastit që bëri që Sangiuliano të jepte dorëheqjen pas ditësh nën akuza, mohime dhe intervistash mbi aferën që lidhet me dështimin për të emëruar ndihmësen dhe të dashurën e tij si këshilltare.
Top Channel