Politika ka uruar nxënësit dhe mësuesit në të gjithë vendin për një vit të ri të mbarë dhe të suksesshëm shkollor. Rreth 350 mijë nxënës nisin vitin e ri shkollor 2024-2025, ndërsa 25 shkolla të reja hapin dyert duke siguruar një mësim cilësor.
Duke u uruar suksese dhe mbarësi sidomos nxënësve që ulen në bankat e shkollës për herë të parë, Begaj thotë se është ky brez që do të krijojë një të ardhme më të mirë për të gjithë.
“Urimet më të mira dhe suksese të gjithë nxënësve e mësuesve që nisin sot vitin e ri shkollor! Në veçanti, urime nxënësve të klasave të para që fillojnë maratonën e gjatë, sfiduese, por edhe shpërblyese të dijes. Një brez që sot përqafon diturinë, ndërton një botë dhe të ardhme më të mirë për të gjithë”, shkruan Begaj.
Edhe kryeministri Edi Rama ka uruan një vit të mbarë shkollor për të gjithë.
“Urime për të gjithë nxënësit, veçanërisht për ata që ulen sot për herë të parë në bankat e shkollës, mësuesit e prindërit e Shqipërisë, për një vit të mbarë shkollor”, shkruan Rama.
Urimet kanë ardhur edhe nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e cila theksoi rëndësinë e edukimit cilësor dhe përpjekjet e qeverisë për përmirësimin e kushteve në shkolla, duke u fokusuar tek investimet e kryera për të rritur standardet e mësimdhënies.
“350 mijë nxënës ulen sot në bankat e shkollave, ndërsa 28 mijë prej tyre e kalojnë për herë të parë pragun e shkollës. 25 shkolla të reja kanë hapur dyert e tyre sot, duke mirëpritur rreth 10 mijë nxënës dhe mësues. Kemi investuar në 200 shkollave me 216 laboratorë SMART, ku rreth 35 mijë nxënës do të përfitojnë nga programet e reja të TIK dhe programimit”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu uroi suksese për të gjithë nxënësit dhe mësuesit në këtë rrugëtim të ri arsimor, duke shprehur mbështetjen e plotë të qeverisë për një arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës.
/rtsh.al/