Ballina Bota Skandali me shitjen e diplomave false nga Kolegji Universitar WISDOM, MAS pranon...

    Skandali me shitjen e diplomave false nga Kolegji Universitar WISDOM, MAS pranon shkeljet: Po ndiqet procedura për ta mbyllur

    9
    Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar lidhur me Institucionin Jopublik të Arsimit të Lartë Kolegji Universitar ËISDOM dhe aktivitetin e tij në Shqipëri.
    Përmes një deklarate për median MAS thotë se për periudhën 2023-2024, u ngrit një grup pune për të verifikuar pajtueshmërinë me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi të Kolegjit dhe bazuar në rekomandimet e grupit të kontrollit, po ndiqet procedura ligjore në lidhje me mbylljen e veprimtarisë akademike të institucionit jopublik të arsimit të lartë.
    Ndërkohë nënvizohet se Ministria e Arsimit dhe Sportit, për vitin e ri akademik 2024-2025, nuk ka çertifikuar kuota pranimi për Kolegjin Universitar ËISDOM.

    Ministria e Arsimit dhe Sportit, bazuar në aktet nënligjore në fuqi, të ligjit nr 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë” ka nisur prej vitit 2022 dhe në vijim, procesin periodik të verifikimit të kontrollit të pajtueshmërisë së veprimtarisë të gjithë institucioneve të arsimit të lartë.

    Në vijim të këtij procesi, për periudhën 2023-2024, MAS, bazuar në dispozitat ligjore në fuqi, përmes grupit të punës të ngritur për këtë qëllim, me përfaqësues të strukturave përgjegjëse të ministrisë, Agjensisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të Lartë dhe Qendrës së Shërbimeve Arsimore, ka nisur verifikimin e pajtueshmërisë me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi të Kolegjit Universitar ËISDOM.

    Pas procedurave të ndjekura në kuadër të këtij procesi, dhe verifikimeve të kryera përgjatë periudhës së kontrollit në këtë institucion, në përfundim të tij, grupi i punës, në korrik të këtij viti, ka përfunduar raportin final të kontrollit, duke konstatuar shkelje ligjore, gjatë ushtrimit të veprimtarisë akademike, administrative dhe financiare të Kolegjit Universitar ËISDOM për periudhën e ushtrimit të kontrollit, referuar dispozitave të ligjit nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.

    Bazuar në rekomandimet e grupit të kontrollit, po ndiqet procedura ligjore në lidhje me mbylljen e veprimtarisë akademike të institucionit jopublik të arsimit të lartë Kolegji Universitar ËISDOM.

    Nënvizojmë se ndërkohë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, për vitin e ri akademik 2024-2025, nuk ka çertifikuar kuota pranimi për Kolegjin Universitar ËISDOM.

    Pra Ministria e Arsimit dhe Sportit ka ndjekur jo vetëm me vëmendje, po edhe me hapa konkretë masash ligjore anomalitë e nxjerra nga inspektimet, duke siguruar mbrojtjen e  studentëve bazuar në dispozitat ligjore në fuqi.

    MAS mbetet e përkushtuar për të garantuar cilësi dhe transparencë në të gjitha aspektet e sistemit arsimor, duke garantuar se të gjitha diplomat dhe certifikatat e lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë në vend janë në përputhje me standardet më të mira.

    Deri tani janë 9 persona të arrestuar në akuzat për mashtrime të rënda, falsifikim dokumentesh korrupsion e pastrim parash. Gjithsej janë 41 të dyshuar, ndërsa po hetohet edhe veprimtaria e 2 kompanive me seli në Romë dhe në Foxhia. Mes të arrestuarve është edhe pronari i Kolegjit Universitar Ëisdom me qendër të Tiranë, Savino Cianci (i thirrur edhe Nino) dhe administratori Leonardo Catalano.

    Sipas mediave italiane dyshja Cianci-Catalano i kanë dhuruar një çantë Louis Vuitton me vlerë 1200 euro presidentit të Këshillit të Akreditimit të Agjencisë për Akreditimin dhe Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, për akreditimin e Ëisdom University.

    Hetimi u koordinua nga Prokuroria e Tranit, e u konkludua me ekzekutimin e 9 masave të sigurimit nga Guardia di Finanza.

    S.G/I.M/Shqiptarja.com