Më 24 shkurt të një viti më parë, Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi nisjen e një operacioni ushtarak special në Ukrainë. Si sot, një vit më parë, ukrainasit u zgjuan nga raketat dhe shpërthimet ruse, gjendje e cila ende sot, është po e njëjtë, pavarësisht numri të lartë të vendeve të BE-së, të cilat dënojnë luftën e Putin dhe kanë vendosur një sërë sanksionesh ndaj Rusisë.
E në kuadër të një-vjetorit të luftës ruse, Presidenti Volodymyr Zelensky e ka nisur këtë të premte (24 shkurt) me një mesazh të fortë dhe bindës se viti 2023, do të jetë viti i fitores së Ukrainës.
“Më 24 shkurt, miliona prej nesh bënë një zgjedhje. Jo një flamur i bardhë, por ai kaltër e verdhë. Jo duke ikur, por duke u përballur. Duke rezistuar dhe luftuar. Ishte një vit dhimbjeje, pikëllimi, besimi dhe bashkimi. Dhe këtë vit, ne mbetëm të pathyeshëm. E dimë që viti 2023 do të jetë viti i fitores sonë?”, tha Zelensky.
Qeveria e Kinës ka bërë thirrje për bisedime paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë, ndërsa u ka kërkuar të gjitha palëve të shmangin përshkallëzimin bërthamor dhe t’i japin fund sulmeve ndaj civilëve.
Ukraina dhe Rusia kanë një histori të gjatë dhe të ndërlikuar. Për vite me radhë, Putin i mohoi Ukrainës shtetësinë e saj, duke kulmuar me një ese të gjatë të vitit 2021 duke thënë se rusët dhe ukrainasit ishin një popull. Ai shpesh akuzonte Ukrainën se po pushtohej nga ekstremistët, që kur presidenti i saj pro-rus, Viktor Janukoviç, u rrëzua në vitin 2014 pas muajsh protestash kundër sundimit të tij. Në atë kohë, Rusia u hakmor duke pushtuar rajonin jugor të Ukrainës të Krimesë. Një kryengritje në lindje nga separatistët e mbështetur nga Rusia shkaktoi një luftë që mori rreth 14,000 jetë. Në vitin 2021, Putin filloi të vendoste një numër të madh trupash ruse afër kufijve të Ukrainës.
Për muaj të tërë Putini e kishte mohuar se do të pushtonte fqinjin e tij. Duke shpallur pushtimin më 24 shkurt 2022, ai akuzoi NATO-n se po kërcënonte “të ardhmen historike të Rusisë si komb”. SHBA kishte paralajmëruar partnerët e saj evropianë se manovrat ushtarake në kufijtë e Rusisë ishin në përputhje me përgatitjet për një sulm ndaj Ukrainës, por, deri në këtë ditë të vitit të kaluar, pakkush besonte se Rusia mund të fillonte me të vërtetë pushtimin që bëri. Megjithatë, ndoshta po aq pak menduan se Ukraina do të ishte në gjendje të rezistonte për aq kohë sa ka bërë.
/rtsh.al/