Ballina Lajme 1 vit luftë në Ukrainë/ Rama mesazh nga Hiroshima: Rusia nuk mund...

1 vit luftë në Ukrainë/ Rama mesazh nga Hiroshima: Rusia nuk mund ta fitojë luftën

1

Kryeministri Edi Rama zgjodhi Hiroshimën për të dhënë një mesazh në kuadër të 1-vjetorit të luftës së Rusisë në Ukrainë. Rama ka folur prerë, teksa ka thënë se Rusia nuk mund ta fitojë luftën në Ukrainë dhe se sipas tij, të luash me fjalën bombë atomike, është turp për civilizimin.

Ishin të shumtë ata që menduan se pushtimi rus i Ukrainës do ishte çështje ditësh. Por ja ku jemi këtu sot, një vit rezistencë heroike e popullit të Ukrainës nën lidershoipin guximtarët dhe vullnet hekurt të Presidentit Zelensky, me mbështetjen e botës demokratike. Dhe tanimë është e qartë se Rusia nuk mund ta fitojë luftën. Kur them: ja ku jemi këtu, dua të shtoj se kam nderin ta bëjë këtë mesazh këtu nga Hiroshima, pas një momenti të gjatë dhe jashtëzakonisht të veçantë nderimi, në memorialin e të humburve, zhdukurve nga goditja e bombës atomike. Dhe pastaj në Muzeun e Tmerreve të bombës atomike”, tha Rama në video-mesazhin e publikuar në rrjetin social Facebook teksa përsëriti mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës dhe aleancën e të gjithë vendeve demokratike në mënyrë që e shkuara të mbetet e shkuar dhe përpjekjet e gjithsecilit për ta rikthyer, të dështojnë me turp.

Shtoj që të luash sot me fjalën bombë atomike, sikur flet për kukull a është e vërtetë, është një turp i civilizimit tonë dhe kjo e bën dhe më të rëndësishme mbështetjen për Ukrainën, aleancën e të gjitha vendeve demokratike dhe vendosmërinë e secilit që ka dinjitet për respektin njerëzor, lirinë, vlerat e demokracisë, që e shkuara të mbetet e shkuar dhe çdo përpjekje për ta kthyer të shkuarën, të dështojë me turp”, tha Rama.

Gjatë vizitës që Kryeministri Edi Rama po zhvillon në Japoni, në kuadër të 42-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve, kreu i shtetit shqiptar u ndal në Hiroshima ku vendosi një buqetë me lule në Memorialin Përkujtimor të Paqes, si dhe vizitoi Muzeun Përkujtimor të Paqes.  Kryeministri Rama ndodhet në ditën e katërt të vizitës së tij zyrtare në Japoni.

Që në nisje të luftës së Rusisë, Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që i ka ardhur në ndihmë Ukrainës.