Pas publikimit të planit të Kinës për një armëpushim mes Ukrainës dhe Rusisë ka reaguar Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Presidenti ukrainas ka thënë se planifikon të takojë presidentin kinez, Xi Jinping për të diskutuar propozimin për armëpushim që synon dhënien fund të luftës në Ukrainë. Sipas Zelenskyt, një takim i tillë do të ishte “i rëndësishëm për sigurinë në botë”.
Zelensky ka mirëpritur disa elemente të propozimit kinez për armëpushim, mirëpo ka thënë se nuk është plan konkret.
Plani 12-pikësh i Kinës për “zgjidhje politike” nuk i bën thirrje Rusisë që të largohet nga Ukraina.
Propozimi është pritur me skepticizëm nga aleatët e Ukrainës.
Zelensky u ka thënë gazetarëve më 24 shkurt se nuk është gjë e keqe që Kina ka folur për Ukrainën.“Pyetja është se çfarë pason pas fjalëve. Pikëpyetje janë hapat dhe ku çojnë ata”.
Autoritetet kineze nuk kanë reaguar ende lidhur me këto deklarata.
Ndërkohë, presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka bërë thirrje Pekinit që “të ndihmojë në rritjen e presionit ndaj Rusisë” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Macron, i cili ka thënë se do ta vizitojë Kinën në fillim të prillit, ka shtuar se paqja është e mundshme nëse “agresioni rus ndalet, trupat ushtarake tërhiqen dhe nëse respektohet sovranitetin territorial i Ukrainës”.
Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase ka thënë të shtunën se ushtria ka zmbrapsur 70 sulme të ushtrisë ruse në drejtim të qyteteve ukrainase, Kupiansk, Liman, Bahmut dhe Avdivka në lindje.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
/ rtsh.al /