Ballina Vendi Moti i keq, ndalohet lundrimi në Vlorë

Moti i keq, ndalohet lundrimi në Vlorë

1

Kapiteneria e Vlorës ka pezulluar lundrimin e mjeteve të vogla lundruese gjatë datave 25 dhe 26 shkurt për shkak se pritet përkeqësimi i motit.

Në njoftimin e publikuar sot thuhet se parashikohet përkeqësimi i situatës hidrometeorologjike në Gjirin e Vlorës dhe jashtë saj gjatë datave 25 – 26 shkurt 2023 duke filluar nga ora 22:00 e 24 shkurtit 2023 në drejtimin jug-juglindje në forcën deri 6bft me shpejtësi ere deri 15m/s, dhe lartësi dallge deri 2.50m brenda gjirit të Vlorës dhe jashtë gjirit të Vlorës në forcën 7-8bft me shpejtësi ere deri 30m/s dhe lartësi dallge nga 2.50 deri 3.50 metra.

Si rrjedhim, është ndaluar nisja gjatë datave 25 – 26 shkurt për të gjitha mjetet e vogla lundruese, anijet e peshkimit që operojnë jashtë Gjirit të Vlorës, kurse ato brenda Gjirit të Vlorës, duhet të marrin masat për sigurinë e tyre.

Janë njoftuar drejtuesit e anijeve të peshkimit dhe mjetet e vogla lundruese për situatën e përkeqësuar dhe për marrjen e masave për sigurimin e mjeteve në vendet e akostuara dhe parandalimin e ngjarjeve dhe situatave gjatë datave 25-26 shkurt 2023.

Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve.

Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar në Gjirin e Vlorës dhe jashtë saj për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas datës 27 shkurt 2023, ora 6:00.