Ballina Bota Vuçiç: Serbia do të blejë dronë kamikazë nga Emiratet e Bashkuara

    Vuçiç: Serbia do të blejë dronë kamikazë nga Emiratet e Bashkuara

    1

    Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka njoftuar të martën se brenda dy ditësh Serbia do të nënshkruajë kontratën e parë me Emiratet e Bashkuara Arabe për blerjen e dronëve kamikazë.

    Ai u tha gazetarëve në Abu Dabi se “shpreson” që pas pesë apo gjashtë muajsh, dronët e parë kamikazë do t’u arrijnë Forcave të Armatosura serbe.

    Pas një vizite në Panairin e Armëve dhe të Pajisjeve Ushtarake 2023, ai shtoi se në ditët në vijim pret përshkallëzim të konfliktit në Ukrainë, që, sipas tij, do ta vështirësojë edhe më shumë pozitën e Serbisë.

    “Ne po përballemi me një periudhë sfiduese, dhe nga deklaratat e presidentit rus, Vladimir Putin, duket qartë se ai do të vazhdojë me shumë ashpërsi luftën në Ukrainë. Për disa ditë, pres ndryshime të mëdha në fushëbetejë, dhe në veprime të mëtejshme politike ndaj Serbisë, nga perëndimi dhe nga faktorë të tjerë ndërkombëtarë”, tha Vuçiç. Në një fjalim drejtuar kombit rus, më 21 shkurt, Putin akuzoi vendet perëndimore për nxitjen e luftës për shkatërrimin e Rusisë.

    Po ashtu tha se Rusia kishte bërë gjithçka për të shmangur luftën, por se Ukraina, e mbështetur nga Perëndimi, po planifikonte të pushtonte Krimenë.Putin shtoi se Rusia dëshiron ta zgjidhë konfliktin në Ukrainë në mënyrë paqësore, “mirëpo mbrapa shpinës sonë ka qenë duke u përgatitur një skenar i vështirë”./REL