Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Evropës, Olta Xhaçka, ka dënuar “ashpër” sulmin ndaj patrullës së EULEX në veri të Kosovës. Në një postim në Twitter, Xhaçka shkruan se Shqipëria i bashkohet thirrjes së partnerëve ndërkombëtar për heqjen e menjëhershme të barrikadave të vendosura nga grupet e serbëve të Kosovës.
“Shqipëria dënon ashpër sulmet ndaj EULEX dhe në Policinë e Kosovës në veri. Ne i bashkohemi thirrjeve të partnerëve tanë ndërkombëtarë për heqjen e menjëhershme të barrikadave nga grupet e serbëve të Kosovës. Është e rëndësishme të rivendoset qetësia dhe sundimi i ligjit”, shkruan Xhaçka.
Një patrullë vëzhguese e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, u sulmua me një shok bombë (bombë çorientuese) mbrëmjen e së shtunës, në afërsi të Rudarës, në komunën e Zveçanit. Lajmi u bë me dije nga EULEX, që konfirmuan se fatmirësisht asnjë zyrtar i Njësisë Policore nuk është lënduar, teksa i konsideroi sulmet të papranueshme.
Përfaqësues i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme, Josep Borrell, reagoi ashpër në lidhje me ngjarjen, duke e konsideruar të patolerueshme, teksa bëri thirrje për heqjen e barrikadave nga grupet serbe.
/rtsh.al/