Kryeministri Edi Rama ka dënuar sulmet ndaj EULEX në veri të Kosovës. Në një postim në Twitter në lidhje me situatën në veri të Kosovës, Rama shkruan se vendosja e barrikadave nga grupet serbe, jo vetëm që nuk zgjidh asgjë, por përkundrazi, komplikon edhe më tej.
Kreu i qeverisë shqiptare i bën thirrje Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e Veriut të Kosovës, pa i justifikuar veprimet e tyre. Po ashtu, Rama kërkon nga BE të thërrasë “urgjent” tryezën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Sulmet ndaj EULEX janë të dënueshme pa asnjë ekuivok ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj policisë së Kosovës. Rishfaqja e barrikadave në Veri të Kosovës, bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë, por përkundrazi komplikon më tej çdo gjë! Shtyrja e votimeve nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës është një sinjal kuptimplotë, të cilit autoritetet e larta të Beogradit duhet t’i përgjigjen me të njëjtën frymë dhe ndjenjë përgjegjësie, për moslejimin e përshkallëzimeve të mëtejshme të akteve destabilizuese! Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e Veriut të Kosovës, pa i justifikuar assesi veprimet e tyre cilatdoqofshin arsyet! Arsyet diskutohen nuk përdoren si armë kundër policisë e si barrikada kundër rendit ligjor.BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut”, shkruan Rama.
Një patrullë vëzhguese e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, u sulmua me një shok bombë (bombë çorientuese) mbrëmjen e së shtunës, në afërsi të Rudarës, në komunën e Zveçanit. Lajmi u bë me dije nga EULEX, që konfirmuan se fatmirësisht asnjë zyrtar i Njësisë Policore nuk është lënduar, teksa i konsideroi sulmet të papranueshme.
Përfaqësues i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme, Josep Borrell, reagoi ashpër në lidhje me ngjarjen, duke e konsideruar të patolerueshme, teksa bëri thirrje për heqjen e barrikadave nga grupet serbe.
/rtsh.al/