Ballina Trupi dhe shëndeti SKANDALI/ Gruaja operohet e mjekohet dy vjet për kancerin para se doktorët...

SKANDALI/ Gruaja operohet e mjekohet dy vjet për kancerin para se doktorët t’i thonin se ‘nuk e kishte pasur kurrë’

72

Një grua që ishte diagnostikuar me kancer dhe kreu gati dy vjet trajtime mjekësore, mbeti e shokuar kur doktorët i thanë se e kishin diagnostikuar gabim, në një rast papërgjegjshmërie të lartë shëndetësore në Britani.

33 vjeçares Megan Royle i thanë se kishte kancer të lëkurës në vitin 2019 dhe ajo rrjedhimisht kreu nëntë cikle trajtimi, operacion dhe procedurën e heqjes e ngrirjes së vezëve.

Por dy vjet më vonë gabimi shkatërrimtar u zbulua kur ajo ndryshoi spitalin dhe të dhënat e saj mjekësore u rishikuan.

Ajo tashmë ka marrë kompensim nga grupet shtetërore Royal Marsden NHS Foundation Trust, dhe spitali universitar Imperial College Healthcare që menaxhojnë shërbimet e spitalit të Chelsea & Westminster në qendër të Londrës, të cilët kishin keqinterpretuar rezultatet e analizave që sollën diagnozën e gabuar.

 

Megan, artiste grimi nga Beverley, në veri të Anglisë, thotë se ende nuk arrin ta kuptojë atë që i ndodhi: “Askush nuk e beson se mund të të ndodhë diçka e tillë, ende sot nuk kam një arsyetim se si dhe pse më ka ndodhur kjo”.

“Kalova dy vjet duke besuar se isha me kancer, pasi bëra të gjitha trajtimet më thanë se nuk kisha pasur kancer”.

“Ju mund të mendoni se tani duhet të ndjehem e lehtësuar, në njëfarë mënyre isha, por emocioni më i fortë është zhgënjimi dhe zemërimi”.

“Kur më thanë fillimisht se isha me kancer dhe se kisha nevojë për një operacion që do të ndikonte në fertilitetin tim, unë pranova menjëherë”

“Asokohe nuk mendoja të kisha fëmijë, por do ta dëshiroja më vonë, prandaj ngriva vezët siç më këshilluan dhe nuk hezitova”.

“Kur më thanë pas dy vjetësh se nuk kisha pasur kancer, nuk isha vetvetja për shumë kohë”.

Megan thotë se ne 2019 kur ishte 29 vjeçe, shkoi te doktori prej një nishani në krahun e saj që po i rritej në masë, dhe pas një analize biopsie i thanë se kishte melanoma – një lloj kanceri lëkurës.

Ajo u referua te specialisti në spitalin Royal Marsden Hospital, ku pas rishikimit të biopsisë i thanë përsëri se ishte melanoma.

Megan rrjedhimisht u detyrua të kryente imunoterapi, të ngrinte vezët e saj, dhe një operacion relativisht të vogël për heqje të “kancerit”.

Pasi zbuloi se e gjithë diagnoza e saj ishte e gabuar, ajo paditi mjekët për neglizhencë dhe fitoi ndaj dy grupeve mjekësore.

Avokati i saj Matthew Gascoyne tha: “Është një rast i rëndë dhe i pazakontë ku Megan i keqdiagnostikua me kancer të lëkurës, çka pati një efekt të rëndë fizik dhe psikologjik te ajo, duke parë moshën e re”.

“Pasojat psikologjike u përkeqësuan kur asaj iu dha lajmi se nuk kishte pasur fare kancer. Sikur të mos kishte ndërruar adresë dhe rrjedhimisht spitalin ajo do të ishte ende duke besuar se ‘kanceri’ do të rikthehej”, tha ai.

Dy grupet shëndetësore që pranuan fajin nuk kanë kontaktuar me mediat.