Edhe pse nuk kanë shqetësime serioze dhe kanë kaluar të 60-tat, ky çift të moshuarish bëjnë kontrolle të rregullta të zemrës dhe nuk neglizhojnë aktivitetin fizik. Por, nuk ka rëndësi nëse je i ri apo i moshuar, pasi tashmë sëmundjet e zemrës po shfaqen pothuajse në çdo moshë. Janë rreth 90 mijë persona që vuajnë nga problemet kardiake, që dikur preknin pacientë të moshës mbi 40 vjeç. Tashmë ky fenomen ka ndryshuar.
Problemet e zemrës mbeten shkaktari kryesor i vdekjeve në vendin tonë dhe pas periudhës së pandemisë, ky numër ka ardhur në rritje.
“Janë regjistruar rreth 90 mijë persona me sëmundje të zemrës dhe nga këta rreth 52 mijë janë me sëmundje ishemike të zemrës. Ndërsa sa i takon niveleve të vdekshmërisë në vitin 2022 vdekjet nga aparati i qarkullimit të gjakut mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në vend dhe përbëjnë rreth 54.5 % të vdekjeve në mbarë vendin.”
Rritja e sëmundjeve kardiovaskulare dhe e shtrimeve në spitale nisi të vihej re jo vetëm në periudhën e pandemisë së Covid-19, por edhe më pas. Sipas mjekëve faktorët e rrezikut janë shtuar duke u bërë ndikues: stili i jetës, obeziteti, stresi dhe duhanpirja.
MIHAL TASE, SHEFI I SHËRBIMIT TË MJEKËSISË INTERNE DHE HIPERTENSIONIT NË QSUT
“Parandalimi duhet të jëtë në thelb të mjekësisë moderne. ky është një problem që lidhet më shumë me ndërgjegjësimin e shoqërisë, por jo të gjithë janë të gatshëm që pa pasur asnjë lloj shqetësimi të marrin mjekime që shpesh zgjasin gjithë jetën.”