Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka reaguar për çmimet vendosura nga Bordi i Transparencës për karburantet në vendin tonë.
Salianji thotë se çmimi i naftës në bursë ka pësuar rënie këtë javë, ndërsa në Shqipëri çmimet vijojnë të jenë më të lartat në Europë.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Salianji shkruan se faji në këto momente është i marrëveshjeve kartel mes anëtarëve të bordit të transparencës dhe qeverisë.
“Çmimi i naftës në bursë ka pasur rënie pikiatë këtë javë, në Shqipëri 🇦🇱 çmimi vazhdon në çmime stratosferike duke mos reflektuar rënien e çmimit në bursat ndërkombëtare. Kur ka rritje reflektohet menjëherë si me buton! Më përpara faji vendosej sa qeverisë, sa oligarkëve, ndërsa prej muajsh me krijimin e bordit të përbashkët faji është i marrëveshjeve kartel dhe bashkëpunimit të tyre me qeverinë!
Ky çmim nafte që ka sot Shqipëria po ta krahasosh me vendet e Evropës për fuqinë blerëse dhe pagat mesatare është njësoj sikur në Evropë të përballohej një çmim prej 15 eurosh për litër, ndërkohë që vetëm pak vende e kanë më shtrenjtë se ne!
Shqipëria ka nevojë për qeveri që kujdeset për qytetarët, që garanton tregun e lirë nëpërmjet konkurrencës së ndershme dhe ndalon me ligj krijimin e monopoleve që dëmtojnë ekonomitë familjare dhe bizneset!”,-shkruan Salianji.