Ballina Bota Kryeministri hungarez kundër sanksioneve ndaj Moskës: Ekonomia europiane po gulçon. Ukraina:...

    Kryeministri hungarez kundër sanksioneve ndaj Moskës: Ekonomia europiane po gulçon. Ukraina: S’është faji i masave, por i luftës së Putinit

    1

    Kryeministri hungarez Viktor Orban i ka konsideruar sanksionet e marra ndaj Moskës si një dëm që Europa i ka bërë vetes.

    Agjencia France-Presse raporton se Orban, një nacionalist që ka qeverisur Hungarinë që nga viti 2010 dhe shpesh përplaset me Brukselin, ka qenë një kritik i ashpër i sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj naftës ruse.

    Në një fjalim në radion kombëtare, Orban u kërkoi udhëheqësve të BE-së të ndryshojnë politikën e sanksioneve.

    “Fillimisht mendova se thjesht e dëmtuam pak veten, por ekonomia evropiane e qëlloi ‘veten në mushkëri’ dhe po gulçon për ajër.

    Ka vende të përkushtuara ndaj politikës së sanksioneve, por Brukseli duhet të pranojë se ishte një gabim, se sanksionet nuk e kanë përmbushur qëllimin për të cilën u vendosën, madje ka pasur efektin e kundërt.

    Brukseli mendoi se politika e sanksioneve do të dëmtonte rusët, por kjo na dëmton më shumë neve”, tha Orban.

    Në qershor, 27-vendet e BE-së miratuan zyrtarisht një ndalim për shumicën e importeve të naftës ruse pas disa javësh rezistencë nga Hungaria, duke iu dorëzuar përfundimisht kërkesës së Orban për të përjashtuar naftën ruse të dërguar me tubacion.

    Sanksionet mbulojnë dy të tretat e naftës ruse që aktualisht po sillet me anije.

    Ukraina u kundërpërgjigj kundër komenteve të Orbanit, duke thënë se sanksionet ishin vendosur në përgjigje të një pushtimi rus që kishte marrë “dhjetëra mijëra” jetë.

    “Sanksionet ndihmojnë në mbajtjen e shtetit agresor përgjegjës për krimet e tij, si dhe dobësojnë aftësinë e tij për të vazhduar luftën. Nuk janë sanksionet që po e vrasin ekonominë evropiane, por lufta hibride e Rusisë”, shkroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko në mediat sociale.