Ballina Bota “Prova se ka përfitime shëndetësore”, Australia legalizon droga psikedelike për përdorim mjekësor

    “Prova se ka përfitime shëndetësore”, Australia legalizon droga psikedelike për përdorim mjekësor

    1

    Australia njoftoi se do të lejojë përdorimin e substancave psikedelike ecstasy dhe kërpudha magjike – për trajtimin e depresioneve dhe stresit post-traumatik. Enti për Mbikëqyrjen e Drogave në Australi njoftoi se së shpejti do të lejohet përdorimi i substancave psikedelike MDMA dhe psilocybin – të njohura më tepër si ecstasy dhe kërpudha magjike – për trajtimin e depresioneve dhe stresit post-traumatik.

    Mjekëve psikiatrër do t’u lejohet t’u japin pacientëve të tyre me recetë dy substancat psikedelike duke filluar nga korriku 2023, njoftoi Enti i Prodhimeve Terapeutike, i cili ka gjetur “prova të mjaftueshme për përfitimet e mundshme të tyre ndër pacientë të caktuar”.

    MDMA konsiderohet aktualisht si substancë e ndaluar

    Të dyja drogat konsiderohen aktualisht si “substanca të ndaluara” dhe mund të përdoren vetëm në prova klinike të kontrolluara me rreptësi. Enti i Prodhimeve Terapeutike tha se ato janë “relativisht të sigurta” kur u jepen pacientëve në mjedis mjekësor dhe mundësojnë një “ndryshim të gjendjes së ndërgjegjes” që mund t’u ndihmojë  pacientëve.

    Vendim i shumëpritur

    Mike Musker, studiues i shëndetit mendor dhe parandalimit të vetëvrasjeve në Universitetin e Australisë Jugore, e përshëndeti këtë vendim duke e quajtur “të shumëpritur”.

    Shpesh ilaçet standarde psikiatrike nuk nuk ofrojnë lehtësim ndaj depresioneve

    “Ka shumë njerëz që përjetojnë PTSD (çrregullime stresi post-traumatik) dhe depresione, veçanërisht veteranët e ushtrisë dhe njerëzit që kanë punuar në shërbimet e urgjencës, ku ilaçet standarde psikiatrike nuk funksionojnë dhe nuk ofrojnë lehtësim,” tha ai. Musker tha se të dy ilaçet “zvogëlojnë frenimet” dhe mund t’u ndihmojnë njerëzve të përpunojnë imazhe dhe kujtime të vështira.

    Tani për tani përdorimi i MDMA dhe i psilocybinës do të kufizohet në trajtimin e depresioneve dhe të stresit post-traumatik. Por përkrahësit e këtyre substancave shpresojnë që një ditë mund t’i përdorin edhe për të kuruar varësinë nga alkooli, crregullimet obsesive-kompulsivedhe çrregullimet e të ngrënit.

    Substancat psikodelike janë përdorur nga popujt indigjenë për mijëvjeçarë me radhë, por studiuesit perëndimorë filluan të merren seriozisht me shqyrtimin e përdorimeve të mundshme të tyre vetëm në mesin e shekullit të kaluar.

    Kanadaja dhe SHBA-ja janë ndër vendet që kanë lejuar tashmë përdorimin mjekësor të MDMA dhe të psilocybinës./DW