Administrata Tatimore ka denoncuar disa persona të cilët që mashtrojnë bizneset duke u prezantuar si punonjës tatimorë, por që në fakt nuk janë të punësuar në strukturat e këtij institucioni.
Përmes një videoje, Administrata Tatimore tregon një person, i cili nuk është punonjës, por prezantohet si i tillë në një subjekt privat.
Tatimet i bëjnë thirrje qytetarëve që ta denoncojnë këtë person nëse e njohin, ose nëse ky i fundit u shkon pranë subjekteve.
“Duke marrë shkas nga denoncimet e disa bizneseve tatimpaguesve, viktima të mashtrimit nga individë, që nuk janë punonjës të Administratës Tatimore, por që prezantohen në subjekte si të tillë, DPT sqaron se ka marrë të gjitha masat duke e referuar rastin e paraqitur në video, në Prokurorinë e Tiranës. Në video një prej rasteve të siguruara nga kamerat e biznesit, pamjet e të cilave tregojnë personin në fjalë, i cili është paraqitur si Inspektor Tatimesh. Inkurajojmë çdo tatimpagues të japë kontributin e tij për të denoncuar rastet abuzive me qëllim mbrojtjen e të drejtave të tyre!”, thuhet në njoftimin e Tatimeve.