Ballina Trupi dhe shëndeti Prindërit shqiptarë shtyjnë në kohë vaksinën e fruthit, flasin specialistët e ISHP:...

Prindërit shqiptarë shtyjnë në kohë vaksinën e fruthit, flasin specialistët e ISHP: “Kanë frikë nga autizmi”

2

Vaksinimi i detyrueshëm kundër fruthit ka rënë në mënyrë të vazhdueshme jo vetëm gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, por edhe pas saj duke bërë që kjo sëmundje të shpërthejë në Evropë. Shqetësimi ngrihet nga Unicef dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë në javën europiane të imunizmit që synon ndërgjegjësimin me qëllim parandalimin e sëmundjeve infektive.

Në Shqipëri numri i të vegjëlve që kanë marrë dy dozat kundër fruthit është i lartë, por jo në nivelet e kërkuara. “Me dozë të dytë kemi mbi 92% të fëmijëve të vaksinuar, duhet mbi 97- 98 % vaksinimi”- shprehen specialistët e Institutit të Shëndetit Publik.

Vaksina kundër fruthit kryhet me dy doza, në moshën një dhe pesë vjeç, por prindërit shtyjnë në kohë injektimin e saj për shkak të frikës nga autizmi.

“Në moshën 1 vjeç fëmija fillon hapat e para, të folurit ju duket se në momentin që aplikojnë vaksinën është ajo vaksina, por pas 1 vjeç kapen shenjat e para të autizmit dhe ska lidhje më këtë. Kemi fëmijë që mund të jenë 1 vjeç dhe kanë momenitn për tu vaksinuar dhe prindi ka një tendencë për ta shtyrë se nëqoftëse kemi një rast qoftë dhe të izoluar me fruth këta fëmijë rrezikojnë të sëmurën, dhe fruthi është një sëmundje e rrezikshme që çon në vdekje një fëmijë të pavaksinuar, duhet respektuar kalendari sepse mbrojtja nga nëna bie dhe fëmija është i ekspozuar.”

Fruthi sipas specialistëve përhapet me shpejtësi në komunitete me imunitet të ulët. Është gjashtë herë më infektues sesa gripi dhe një në pesë persona që preken prej tij mund të zhvillojnë komplikacione si infeksione të veshit, pneumoni e deri encefalit.