Ballina Vendi Politika uron 7 Marsin: Mirënjohje mësuesve për misionin e tyre

Politika uron 7 Marsin: Mirënjohje mësuesve për misionin e tyre

2

Sot është 7 Marsi, Festa e Mësuesve, ku urimet dhe vlerësimet për punën e tyre shprehen nga të gjithë nxënësit dhe qytetarët në të gjithë vendin. Edhe politika ka uruar mësuesit në Shqipëri duke shprehur përulësi për kontributin e tyre në edukimin e brezave të rinj.

Urimi më i veçantë për mësuesit ka ardhur nga Ministria e Arsimit, përmes një kënge emocionuese të kënduar nga fëmijët, por edhe vetë ministrja Evis Kushi.

“Gëzuar 7 Marsin dhe mirënjohje për ju të dashur mësues! Ju me misionin tuaj edukoni fëmijët tanë, mbillni ëndrra dhe i frymëzoni ata çdo ditë! Kjo video u realizua me kontributin e veçantë të nxënësve nga Instituti i Nxënësve që Nuk Shikojnë, Instituti i Nxënësve që Nuk Dëgjojnë, Shkolla Artistike “Jan Kukuzeli” Durrës, Shkolla e Baletit dhe Gjimnazi “Qemal Stafa” Tiranë”, shkruan Kushi.

Edhe kryeministri Edi Rama ka uruar mësuesit në këtë ditë të shënuar, ndërsa shpreh mirënjohje për punën dhe sakrificën.

“Gëzuar “7 Marsin” mësues të dashur, me përulësinë e mirënjohjen më të madhe ndaj Jush”, shkruan Rama.

Urimet nuk kanë munguar as nga Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e cila shkruan se “7 Marsi, Festa e Mësuesit, është një ditë mirënjohjeje. Për mësueset e mësuesit që vit pas viti, ditë pas dite, orë pas ore, me energjitë, talentin,  vizionin dhe dashurinë e tyre përgatisin dhe edukojnë brezat e rinj, për të ndërtuar të ardhmen”.

Vlerësim për sakrificën e mësuesve ka ardhur edhe nga deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi.

“Për të gjithë ju mësues kudo në Shqipëri një urim i veçantë, për sakrificën dhe punën tuaj të palodhur në edukimin e gjeneratës së re”, shkruan Kryemadhi.

Si sot 136 vite më parë në qytetin e Korçës u hap Mësonjëtorja e Parë Shqipe, një ngjarje me rëndësi madhore në përpjekjet e popullit shqiptar për të krijuar shkollën e vet kombëtare.

/rtsh.al/