Ballina Vendi Pendohet Artan Tafani, zbërthen 20 ngjarje kriminale në disa qytete

Pendohet Artan Tafani, zbërthen 20 ngjarje kriminale në disa qytete

38

Personi që shihni në foton e mësipërme është Artan Tafani, i cili grabiti 30 mijë euro në një pikë këmbimi valutor në zonën e Unazës së Re në kryeqytet.

Policia e Shtetit e shpalli në kërkim asokohe, por sipas të dhënave brenda saj, bëhet e ditur se ai është prangosur në Elbasan, dhe jo vetëm kaq, por ka dyshime se ai është kthyer në të penduarin e drejtësisë, duke dhënë informacione për rreth 20 ngjarje kriminale, gjashtë prej të cilave vrasje të bujshme në disa qytete.

39-vjeçari, që rezulton të jetë pjesë e bandës kriminale të Laert Haxhiut, në Lushnjë, ka rrëfyer se dy prej vrasjeve kanë ndodhur në Greqi ndërsa 4 të tjerat kanë ndodhur në Elbasan, Korçë, Lushnje dhe Tepelenë.

Nga të dhënat ende të pakonfirmuara nga dikasteri blu dyshohet se i përkasin: Çajup Selimit, Alban Semakut, Albi Bashaliut, Lulzim Qorrit, Fridmand Xhaferrajt dhe Dikens Halilit.

Bëhet e ditur se, fill pas dëshmisë së Tafanit, Policia e Shtetit në bashkëpunim dhe me SPAK, kanë nisur një operacion në disa qytete, ku mësohet se deri tani janë firmosur 15 urdhër-arreste me vendim gjykate, nga të cilat janë ekzekutuar 5 prej tyre.

Dy persona janë prangosur në Tepelenë, dy në Pogradec dhe një vajzë në Lushnje.

Artan Tafani rezulton se është pjesë e bandës së Laert Haxhiut, i cili kërkohet nga autoritetet ligjzbatuese në vend, për 3 ngjarje kriminale, mes të cilave “masakra e Lushnjes”, ku mbetën të vrarë gabimisht Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha.

Gazetare: Flutura Tota