Ballina Trupi dhe shëndeti Nga 1 shkurti konsultë në shtet me mjekun jashtë orarit, Rakacolli zbulon...

Nga 1 shkurti konsultë në shtet me mjekun jashtë orarit, Rakacolli zbulon sa do jetë tarifa në spitalin e Fierit

107

Për herë të parë, nga 1 shkurti, në spitalin Memorial të Fierit, mjekët që do të dëshirojnë, mund të ofrojnë konsulta edhe pas orarit zyrtar brenda spitalit publik. Qytetarët do duhet të paguajnë një tarifë të cilën e cakton Bordi i spitalit sipas specialiteteve, nga e cila 70% i merr mjeku, dhe 30% e tarifës kalon për nevojat e spitalit.

Në spitalin Memorial të Fierit, i cili ka fituar kartën e autonomisë menaxheriale, do të praktikohet për herë të parë, konsulta me mjekun, jashtë orarit zyrtar të punës, pasi të kenë mbaruar vizitat e planifikuara nga sistemi i referimit.

“Në bazë të një VKM-je kjo praktikë do të ofrohet në spitalet që kanë fituar autonominë. Aktualisht spitali memorial i Fierit, është ai i pari ku u pilotua autonomia spitalore dhe mjekët e atij spitali do ta fillojnë me datën një shkurt, pra pas dy ditësh. Ndërsa spitalet e tjera që morën autonominë ku në aktivitetin ishte i pranishëm edhe kryeministri, që janë spitalet QSUT, spitalet rajonale të Shkodrës, Lezhës, Durrësit dhe Vlorës do ta fillojnë këtë praktikë menjëherë sapo bordet e spitaleve të bëjnë ato akte të cilat unë përmenda”, thotë Rakacolli për Report Tv.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli zbuloi ekskluzivisht në një intervistë në Report Tv, se tarifa që qytetarët do të paguajnë në spitalin memorial të Fierit, është caktuar të jetë 3 mijë lekë të rinj. Do të jetë 3 mijë lek të rinj. Është rënë dakord bord-mjekë”, tha Rakacolli për Report Tv.

Kjo praktikë e dyfishtë pune e mjekut brenda spitalit publik ku ai punon, pritet të zbatohet së pari në 5 spitalet që kanë fituar autonominë, siç janë së fundmi, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, spitalet rajonale të Vlorës, Shkodrës, Lezhës dhe Durrësit.

Në të gjitha rastet, përfshirja në këtë praktikë te re, do të jetë vullnetare.

“Për momentin shërbimi ofrohet vetëm për konsultat. Janë mjekët që do duhet ta zgjedhin, se sipas legjislacionit mjekut i lejohet, por nëse duan ta japin këtë shërbim spitali i jep infrastrukturën pasi klinika private do investim”, thotë Rakacolli.

Numri 2 i Ministrisë së Shëndetësisë, Mira Rakacolli thotë se janë bordet e spitalit ata që përmes kontratave individuale me mjekët që pranojnë të punojnë jashtë orarit, caktojnë edhe tarifën e konsultës.

“Kontratë dhe rregulla të përcaktuara nga bordi i spitalit për çdo mjek në bazë të kontratës individuale që ata bëjnë, se cakton ministria, e administron vetë spitali.

Megjithatë, lë të kuptuar se mjekët të cilët qytetarët i kërkojnë më shumë, do të kenë tarifë më të lartë.

““Ata mjekë të cilët do të zgjedhin të bëjnë praktikën e dyfishtë në spital, do të jenë ata të cilët  do ta bëjnë këtë pasi të kenë përfunduar detyrimet që kanë për ofrimin e konsultave në publikë. Të gjithë e dimë që për të marrë konsulta në publikë ka një sistem referimi. Ka një sistem referimi në të cilën njerëzit duhet të presin, sepse mjeku në orarin e punës mbaron konsultat që ka detyrim të bëjë dhe mbyll punën, dhe për këtë arsye krijohet një radhë. E  cilat në spitale të ndryshme është e ndryshme, specialitete të ndryshme e kanë të ndryshme radhën e pritjes.

Është dinamike për shembull ka herë që është më shumë ka herë që është më pak, në momentin që ne po flasim për shembull në QSUT mesatarisht lista e pritjes për një konsultë për patolog është 38 ditë, pra më shumë se një muaj, ndërsa neurologu e ka 3 javë, pra kjo është mesatarja. Por ka mjekë të cilët mund ta kenë edhe më të gjatë, edhe më të shkurtër në të njëjtin institucion, pasi të gjithë e dimë që është e drejta e pacientit për ta zgjedhur mjekun. Unë si qytetarë zgjedh mjekun që dua t’më vizitojë dhe datat, zgjedh edhe nëse dua ta marrë më shpejt apo do pres për shërbimin. Pra dukeqenëse i njëjti mjeku ofron konsultën jashtë sistemit të referimit, atëherë ai mund të zgjedhë kundrejt një tarife që mos të presë”, vijon Rakacolli.

30% e tarifës do të menaxhohet nga vetë spitali për nevojat që nuk plotësohen dot nga buxheti i shtetit.

“Marrin një aparaturë, kontraktojnë një mjek me kohë të pjesshme për të plotësuar një shërbim që mungon”, tha Rakacolli për Report Tv.