Petro Gjikuria, kandidati i opozitës për zgjedhjet në Himarë, ka shoqëruar Fredi Belerin në burgun e Fierit, pasi ky i fundit u betua si eurodeputet në Strasburg.
Gjikuria tha për mediat se është i sigurt se do t’i fitojë zgjedhjet dhe se se mbështetja e Fredi Belerit, për të është një nder, ndërsa siguroi se do të jetë i pranishëm në çdo fshat për fushatën.
Duke bërë ironi, ai tha se ka ardhur nga Amerika për t’ju përgjigjur thirrjes së kryeministrit Edi Rama, që emigrantët të punojnë në vendin e tyre.
“Unë jam Petro Gjikuria dhe erdha nga Amerika ju përgjigja thirrjes së kryeministrit që thotë të kthehen emigrantët të ndihmojnë vendin e tyre, të ndihmojnë Himarën.
Përpjekjet e Fredi Belerit për demokraci dhe për shtet të lirë duhet të jenë frymëzim për të gjithë ne. Mbështetja e Fredi Belerit, më nderon dhe është nder shumë i madh për mua.
Himara ka një eurodeputet Fredin Belerin dhe me 4 gusht do të ketë edhe kryetarin e saj të Bashkisë. Unë kam filluar fushatën dhe pak ditë na kanë ngelur, do të jem në të gjitha fshatrat. Unë jam i sigurt për fitoren time sepse jam një bir himariot, ditët në vijim do të themi më shumë“, tha Gjikuria.
Beleri u shpreh i gëzuar që Gjikuria e shoqëroi, ndërsa theksoi se Himara në duart e tij do të jetë më e sigurt.