Policia e Matit ka identifikuar, kapur dhe shoqëruar në Komisariat autorin e dyshuar të ngritjes së një droni mbi ambientet e burgut të Burrelit.
Si rezultat i hetimeve të kryera në bazë të inteligjencës policore, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe shoqërimi në Komisariatin e Policisë Mat, i autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasi Taulant Ahmetsulaj, 36 vjeç, banues në Burrel, bëri me dije policia.
Rasti u bë publik dy ditë më parë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve që tha se kishte parandaluar futja e një droni në burgun e Burrelit.
Përmes një njoftimi, Drejtoria e Burgjeve sqaronte se droni nuk përmbante sende të ndaluara, por sipas tyre, hetimet tregojnë se ka një tendencë të grupeve kriminale për të marrë pamje nga brenda burgjeve.