Për të gjashtin vit radhazi, dieta mesdhetare fiton vendin e parë si dieta më e mirë. Këtë studim e zhvilloi “US News & World Report” së bashku me një panel ekspertësh mjekësorë të specializuar për sëmundje si diabeti, shëndeti i zemrës dhe i trurit. Sipas tyre kjo lloj diete është e lehtë të ndiqet dhe promovon një stil jetese të shëndetshëm krahasuar me dieta të tjera, pasi përbëhet nga fruta, perime, drithëra, fasule, arra, ushqime deti, yndyra të pangopura dhe nga vaji i ullirit ekstra i virgjër. Yndyrnat e tjera përveç vajit të ullirit, si gjalpi dhe sheqeri konsumohen vetëm në raste të veçanta. Mishi i kuq përdoret me masë, ndërsa vezët, qumështi dhe mishi i pulës hahen në porcione shumë më të vogla sesa në dietat tradicionale perëndimore.
Mjekët treguan se regjimi në fjalë ka një ndikim pozitiv në përmirësimin e sëmundjeve kardiovaskulare, dhe diabetit të tipit 2 dhe parandalon rrezikun për demencë dhe kancer gjiri. Gjithashtu, ajo mund të shërbejë si një mjet i rëndësishëm për menaxhimin e simptomave të ankthit dhe depresionit si dhe është një aleat i rëndësishëm në rritjen e jetëgjatësisë dhe cilësisë së jetës. Një tjetër përfitim qëndron në faktin se kjo lloj diete nuk është shumë e kushtueshme dhe vlen për çdo pjestar të familjes pavarësisht historisë me shëndetin, moshës dhe peshës. Për më tepër, është e rëndësishme të përmendet se ky regjim inkurajon konsumimin e moderuar të yndyrave të shëndetshme, si vaji i ullirit dhe ul konsumimin e yndyrnave të pashëndetshme siç janë yndyrnat e ngopura.
Çfarë janë yndyrnat e ngopura dhe të pangopura?
Yndyrnat e ngopura përfshijnë gjalpin, vajin e kokosit dhe produktet e qumështit. Në dietën mesdhetare ato duhet të konsumohen në mënyrë të moderuar. Ndërkohë yndyrnat e pangopura përfshijnë vajrat bimorë, frutat e thata, farat dhe peshkun. Studime të shumta tregojnë se ato ndihmojnë me humbjen e peshës.
A mund të dobësohemi nëse ndjekim këtë dietë?
Ajo është shumë efektive për të rënë nga pesha, por është e nevojshme të bëni zgjedhje të mençura dhe t’i kushtoni vëmendje madhësisë së porcioneve. Një dietë tradicionale mesdhetare përbëhet nga 40% karbohidrate, 40% yndyra dhe rreth 20% proteina.