Ballina Vendi Ambasada amerikane angazhohet në Komisionin e posaçëm Antikorrupsion: Të jetë transparent

Ambasada amerikane angazhohet në Komisionin e posaçëm Antikorrupsion: Të jetë transparent

6

Ambasada amerikane ka bërë me dije se do të angazhohet me Komisionin e Posaçëm “Për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e ligjit”.

Si partnerë të palëkundur të përpjekjeve të Shqipërisë në reformat e nevojshme për anëtarësimin e vendit në BE, Ambasada e SHBA sqaroi se pret që puna e Komisionit të Posaçëm të jetë transparente, gjithpërfshirëse dhe në përputhje me Kushtetutën.

“Si partnerë të palëkundur të përpjekjeve të Shqipërisë për të çuar përpara reformat e nevojshme për anëtarësim në BE, Ambasada e SHBA do të angazhohet me komisionin e posaçëm për mirëqeverisjen, anti-korrupsionin dhe sundimin e ligjit. Ne presim që puna e komisionit të jetë përfshirëse dhe transparente, në përputhje me kushtetutën, në mbrojtje të pavarësisë së institucioneve, si dhe të përmirësojë të ardhmen e Shqipërisë”, thuhet në njoftim.

Ky komision ka në përbërje 11 anëtarë, 6 nga maxhoranca dhe 5 nga opozita.

Qëllimi kryesor i komisionit është koordinimi i një procesi të thelluar reformimi me synim: 1) përmirësimin dhe konsolidimin e praktikave të mirëqeverisjes në të gjitha nivelet, 2) thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe 3) forcimin e mëtejshëm të zbatimit të ligjit.

Objekt i veprimtarisë së tij është vlerësimi dhe analiza e situatës aktuale në tre fushat e mësipërme dhe hartimin e një plani kombëtar veprimi për adresimin e sfidave përkatëse në këto fusha dhe marrjen e masave konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale.

/rtsh.al/