Ballina Vendi Kryebashkiaku Subashi garanton banorët e njësisë së Dermenasit për vijimin e ndryshime...

Kryebashkiaku Subashi garanton banorët e njësisë së Dermenasit për vijimin e ndryshime gjatë këtij viti. Balla: Koha e Berishës dhe Metës ka mbaruar, fitojmë sërish në 2025 dhe do të shënohet fitorja e radhës në bashkinë e Fierit.

2

Nga Dermenasi në një takim me banorët e kësaj njësie kryebashkiaku Armando Subashi ka bërë të ditur që punët e planifikuara nuk do të lidhem ne 14 majin e zgjedhjeve vendore, por të gjitha punët e planifikuara me buxhetin e bashkisë për këtë vit do të realizohen në dobi të qytetarëve.

Sipas tij të gjitha kërkesat e komunitetit janë të parashikuara fshat më fshat dhe do të realizohen sipas kohës së planifikuar edhe nuk ka asnjë dallim as ndarje partiake për cilën forcë politike votojnë banorët. Në këtë takim Subashi ka ndarë arritjet e kryera gjatë këtij mandati në këtë njësi dhe gjithë territorin e bashkisë së Fierit, por treguar investimet e këtij viti.

Reforma territoriale, ka pohuar Subashi është një nga arritjet e qeverisjes socialiste duke bërë të mundur shërimin e shumë plagëve që ishin atyre prej vitesh. Sipas tij Rilindja Urbane ka bërë të mundur të zgjidhen shumë nga problematikat më të mprehta të bashkisë duke filluar nga qendra e qytetit e deri në fshatrat e 9 njësive administrative.

Aktualisht pas asfaltimit të rrugëve kryesore në qytet dhe njësitë administrative tashmë po operohet me rrugët e brendshme në fshatrat kryesore të tyre. Për këtë qëllim ka thënë Subashi u ngrit në bashki ndërmarrja e mirëmbajtjes së rrugëve rurale e cila është në gatishmëri për të zgjidhur problemet në infrastrukturën rrugore të fshatrave.

Subashi është ndalur në dy projekte madhore përfitues të të cilëve janë dhe banorët e kësaj njësie si projekti i 16 fshatrave të fushës për furnizimin me ujë të pijshëm që fillon nga pjesa e Pishë-Poros në grykëderdhjen e Vjosës deri në fshatin më të fundit në Sektor të Semanit, që përfshijnë brenda vetes tre njësi administrative të Levanit, Dermenas dhe Topojën, por edhe zhvendosjen e vendburimit nga Pishë-Poro drejt Çervenit aty ku aktualisht janë shumica e puseve prej nga furnizohet qyteti i Fierit dhe më gjerë duke i paraprirë kështu zhvillimeve të ardhshme në zonën bregdetare.

Një tjetër projekt me rëndësi është rruga e Semanit nga hekurudha deri te pishat në bregdet të cilit i ka përfunduar një element ura e madhe mbi kolektorin e Roskovecit, ndërkohë që po punohet në qendër të Dërmenasit duke qenë një shembull se si do të vazhdojë ky projekt me elementët e korsive të biçikletave, me trotuare, ndriçim nga fillimi deri në fund të tij.

Ky investim shkon në rreth 20 milion euro. Kryebashkiaku Subashi e ka fokusuar fjalën e tij në disa pika kryesore, që sipas tij janë me rëndësi jetike për këtë njësi administrative në investimet në kopshtet, shkollat, çerdhet, qendrat shëndetësore, në krijimin e terreneve sportive, në investimet në kanalet vaditëse dhe kulluese e në ndriçim dhe transport publik.

Për të qenë sa më pranë komunitetit u krijua ndërmarrja e gjelbërimit dhe varrezave publike e shoqëruar me shtimin e numrit të punonjësve në njësitë administrative për të siguruar një shërbim sa më të mirë në këtë drejtim. Në lidhje me pastrimin Subashi bëri të ditur që këtë vit 500 kosha të tjerë do të vendosen të gjitha fshatrat e njësive administrative, por ka kërkuar bashkëpunimin e komunitetit për të mbajtur të pastër mjediset dhe ndryshim të mentalitetit në këtë drejtim.

I pranishëm në këtë takim drejtuesi politik i qarkut Taulant Balla ka pohuar se bashkia e Fierit është modeli sesi iu ofrohen shërbimet publike të gjithë banorëve të saj pavarësisht vendit ku ata banojnë në qendër të Fierit apo në fshatin më të largët.

Balla ka pohuar se bashkia e Fierit është bashkia në vend të parë në të gjithë Shqipërinë përsa i përket numrit të kilometrave rrugëve të shtruara me asfalt në raport me popullsinë, në numrin e fshatrave me ndriçim publik apo edhe në shërbimet e tjera të pastrimit e mirëmbajtjes së sistemit të kullimit dhe të vaditjes, ndërkohë ai ka pohuar se tashmë koha e Berishës dhe Metës ka përfunduar duke garantuar që PS do të fitojë për herë të katërt të drejtën për të qeverisur vendin, ashtu si do të shënohet fitorja e radhës në bashkinë e Fierit./Tv Kombi/