Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, qytetarët në Tiranë kanë marshuar drejt Kryeministrisë. Ata kanë protestuar për kushtet e punës dhe rritjen e çmimeve në vend.
Protestuesit kanë kërkuar paga më dinjitoze dhe respektim të të drejtave në punë.
Një emigrant i është bashkuar kësaj proteste, ndërsa ka shprehur pakënaqësitë për problematikat me të cilat përballur në Shqipëri.
“Dua që këta që kanë ikur të kthehen dhe të kontribuojnë. I them popullit shqiptar të dëgjojnë telefonatat e mëngjesit që bëhen në emisione dhe aty kuptohen të gjitha problemet e shqiptarëve. Ky sistem ka bllokuar njeriun e ndershëm dhe nëse reforma zgjedhore nuk do të ndryshojë e gjithë kjo situatë do të jetë e njëjtë. Për çfarë arsye populli shqiptar nuk duhet të ketë drita. Turp që sot ne kërkojmë drita dhe ujë. Kjo nuk është si pasojë e popullit të thjeshtë por si pasojë e drejtuesve të këtij vendi”, u shpreh ai.