Ballina Vendi 1498 mësuesit që testohen në Gjuhë Shqipe, Matematikë dhe Kimi

1498 mësuesit që testohen në Gjuhë Shqipe, Matematikë dhe Kimi

3

Faza e dytë e konkurrimit për vendet e lira të punës në shkollat publike të arsimit parauniversitar në vend nis të hënën. Do të jenë mësuesit e lëndës së gjuhës shqipe dhe letërsisë që do t’i nënshtrohen të parët provimit të informatizuar që do të zhvillohet në Qendrën e Shërbimeve të Arsimit (QSHA).

Në këtë testim do të marrin pjesë të gjithë mësuesit që kanë kaluar me sukses fazën e parë të konkurrimit me dosje, nëpërmjet të cilës kanë marrë edhe pikët përkatëse. Për shkak të numrit të madh të kandidatëve që janë në garë për vendet e lira të punës në shkollat publike 9-vjeçare, gjimnaze, apo edhe në arsimin parashkollor, QSHA bën me dije se testimet në secilin profil lëndor do të vijojnë jo vetëm përgjatë muajit korrik, por edhe në muajin gusht dhe shtator, sipas kalendarit të miratuar tashmë nga kjo qendër.

Autoritetet e arsimit sqarojnë se provimet do të zhvillohen në data të caktuara për secilin profil lëndor. Ndërkohë që çdo kandidat do të duhet të paraqitet për të zhvilluar provimin vetëm në datën dhe orarin e përcaktuar për të.

Ditën e djeshme QSHA ka shpallur listën zyrtare të 1489 kandidatëve të parë që do të testohen në lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë, matematikës, si dhe Kimisë, provimet për të cilët do të zhvillohen ndërmjet datave 18-28 korrik. Listën e detajuar të kandidatëve që plotësojnë kushtet për të hyrë në testim për këto tre specialitete, e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit, teksa për secilin pjesëmarrës në provim krahas datës, është përcaktuar edhe ora se kur duhet të paraqiten për të zhvilluar testin e informatizuar. Po në vijim do të gjeni edhe kalendarin e testimit për të gjitha profilet e tjera lëndore të mësuesisë.

Lidhur me përmbajtjen e testit, autoritetet sqarojnë se do të jetë i strukturuar në dy pjesë. Pjesa e parë përmban pyetjet në njohjen e dokumenteve zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, njohjen e programeve lëndore përkatëse, metodologjinë e mësimdhënies dhe të të nxënit, në përgjithësi dhe të lëndës, etikën dhe komunikimin e mësuesit në institucionin arsimor, aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Ndërsa pjesa e dytë do të ketë pyetje rreth njohurive shkencore të lëndës sipas programit orientues përkatës. Sa i takon zhvillimit të provimit do të mbeten në fuqi të njëjtat rregulla, sikundër ndodh edhe me provimet e shtetit.

Vlerësimi përfundimtar për çdo kandidat

Vlerësimi i kandidatëve, të cilët aplikojnë për t’u punësuar në vendet e lira që krijohen në profilin e tyre në qytetet ku kanë aplikuar përbëhet nga pikët që kandidati ka siguruar në fazën e parë të konkurrimit nga pikët e dosjes, si dhe pikët e fituara nga testimi që do të zhvillohet në muajin gusht. Rezultati i këtyre dy treguesve përbën edhe pikët finale të mësuesit. Mësuesit që kanë siguruar nivelin më të lartë pikëve do të jenë të parët që do të ftohen të zgjedhin vendet e punës, sipas kuotave të lira të raportuara për çdo njësi vendore të arsimit në vend.

“Renditja përfundimtare për çdo lëndë bëhet sipas pikëve totale që nxirren nga shuma e pikëve të marra në vlerësimin e dosjes së aplikimit dhe pikëve të marra në testimin “Mësues për Shqipërinë 2022. Renditja fillon me kandidatin me më shumë pikë dhe vijon në rendin zbritës. Kandidati i cili në renditjen e përgjithshme sipas profilit, apo lëndës është renditur me numrin më të madh të pikëve, ka të drejtën të zgjedhë i pari vendin e lirë të punës ku do të lidhë kontratën. Ky kandidat me pikët më të larta, ftohet nga komisioni dhe zgjedh një nga vendet e lira me ngarkesë të plotë, të pjesshme, apo dhe të përhershme, sipas preferencave të shprehura edhe prej tij vetë”, sqarohet në udhëzimin e miratuar më herët nga MASR. Po sipas këtij udhëzimi, kandidatët nuk mund të refuzojnë më shumë se tri vende pune të lira, në tri njoftime të njëpasnjëshme të komisionit. Në rast se kjo ndodh mësuesi hiqet nga lista e renditjes, duke i lënë vendin e përzgjedhjes një tjetër kandidati.

Gjatë paraqitjes për pjesëmarrje në testim, kandidati:

  • Duhet patjetër të paraqitet pranë QSHA-së 30 minuta para orarit të përcaktuar për zhvillimin e testit.
  • Duhet të ketë me vete vetëm dokumentet e kërkuara Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumentin origjinal dhe kopje të tyre, si dhe formularin e pjesëmarrjes në testimin e informatizuar të lëshuar nga komisioni i vlerësimit të dosjeve në DRAP.
  • Duhet të ketë me vete stilolaps për nënshkrimin e deklaratës dhe rezultatit të testimit.
  • Nuk lejohen celularët, çantat dhe sende të tjera personale të panevojshme për zhvillimin e testimit.
  • Kandidatët, të cilëve u mungojnë këto dokumente, nuk mund të marrin pjesë në testimin e informatizuar.

Matematike

Kimi

Kalendari i testimit

Gjuhe Shqipe