Ballina Bota Zëdhënësi: Harry dhe Meghan në ndjekje “afërsisht katastrofike” me makinë

    Zëdhënësi: Harry dhe Meghan në ndjekje “afërsisht katastrofike” me makinë

    1

    Princi Harry, Meghan dhe nëna e saj u përfshinë në një “ndjekje pothuajse katastrofike me makinë” ku përfshiheshin paparacët, ka pohuar një zëdhënës i çiftit, njofton BBC.

    Incidenti ndodhi pasi Duka dhe Dukesha e Sussex morën pjesë në një ceremoni çmimesh në Nju Jork të martën.

    Në një deklaratë, zëdhënësi i tyre tha se “ndjekja e pamëshirshme” zgjati për më shumë se dy orë.

    BBC nuk ka qenë në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur detajet.

    Në një deklaratë, Departamenti i Policisë së Nju Jorkut konfirmoi se kishte ndodhur një incident dhe tha se fotografë të shumtë “e bënë të vështirë transportin e tyre (Harry dhe Meghan)”.

    Nuk raportohet për të lënduar apo arrestuar, tha policia.
    Buckingham Palace ende nuk ka komentuar.

    Ka pretendime se ndjekja përfshinte disa makina që ecnin jashtë rregullave duke përfshirë kalimin nëpër dritat e kuqe, drejtimin në trotuar, kryerjen e lëvizjeve bllokuese dhe kthimin mbrapsht në një rrugë me një drejtim, si dhe fotografimin gjatë ecjes.
    Po dalin detaje të skenave që duket se kanë qenë kaotike.
    Çifti dhe nëna e Meghan, Doria Ragland, u përpoqën të ruheshin nga paparacët duke shkuar në një stacion policie në Manhattan.

    Nëna e Princit Harry, Princesha Diana, u vra në një aksident automobilistik të vitit 1997 në Paris, ndërsa ndiqej nga fotografët.

    Në një intervistë me BBC-në për dokumentarin “Diana 7 Days”, Princi Harry iu referua paparacëve si “një tufë qensh” që vazhdimisht përndiqnin nënën e tij.
    Princi Harry aktualisht është i përfshirë në mosmarrëveshje të shumta ligjore me shtypin tabloid britanik, duke përfshirë akuzat për hakim të telefonit dhe mbledhjen e paligjshme të informacionit.

    Dyshja u larguan nga detyrat mbretërore dhe u transferuan në SHBA në vitin 2020, një lëvizje që ata thanë se ishte pjesërisht për shkak të ngacmimeve nga tabloidët në Mbretërinë e Bashkuar.

    Princi Harry e ka përshkruar betejën e tij për të ndryshuar median si “punën e jetës”. Muajin e ardhshëm ai do të paraqitet në një gjykatë në Londër për të dhënë dëshmi në një rast hakerimi telefonik.

    ( Sipas BBC )