Analistët e kishin parashikuar. Pas Ukrainës e ka radhën Ballkani.
Presidenti Vladimir Putin pritet të sjellë në Serbi të dërguarin e tij të lartë të sigurisë në Ballkan.
Mediat e huaja bëjnë me dije se ky veprim është bërë në një situatë dramatike në një periudhë kur Moska është përpjekur të ruajë ndikimin e saj përmes aleatit të saj Serbisë.
Nikolai Patrushev, Sekretari i Këshillit të Sigurimit të Kremlinit, pritet të mbërrijë në Beograd në ditët në vijim për bisedime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Për këtë vizitë, Moska ende nuk ka bërë një njoftim zyrtar.
Bisedimet thuhet se do të fokusohen në pretendimet e Moskës se “mercenarët” nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja po dërgohen nga ato shtete të Ballkanit për të luftuar në anën ukrainase kundër rebelëve pro-rusë mes frikës së një sulmi rus.
Shqipëria, Kosova dhe Bosnja i kanë hedhur poshtë këto pretendime, të cilat janë bërë nga ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov javën e kaluar.
“Ka informacione se mercenarë janë duke u rekrutuar në Kosovë, Shqipëri dhe Bosnjë dhe Hercegovinë për të nxjerrë jashtë ekuilibrit Rusinë dhe për t’i dërguar në vende duke përfshirë Donbasin,” tha Lavrov sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS, duke iu referuar territorit të kontrolluar nga rebelët në lindje.