Ballina Vendi Zbardhet kallëzimi/ “I dha tokë në Himarë Olta Xhaçkës”, Fredi Beleri padit...

Zbardhet kallëzimi/ “I dha tokë në Himarë Olta Xhaçkës”, Fredi Beleri padit në SPAK Jorgo Goron, ish-ministren dhe bashkëshortin e saj

38

Zbardhendetaje nga kallëzimi i Fredi Belerit, i cili fitoi zgjedhjet e 14 majit në Bashkinë e Himarës, ndërkohë që ndodhet pas hekurave. Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për BalkanWeb kallëzimin e depozituar nga Beleri, i cili ka bërë një padi në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndaj ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, bashkëshortit të saj Artan Gaçi si dhe ish-kreut të Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro.

Në dokumente thuhet se Beleri ka hartuar një dosje që sipas tij përbën skandal me shfrytëzimin e tokave në mënyrë të paligjshme në Bashkinë Himarë. Më konkretisht, bëhet fjalë për një sipërfaqe toke prej 5512 metra katrorë, të përfituar në mënyrë të parregullt nga Foto Pavllo Mëhilli.

“Në AMTP në emër të Foto Pavllo Mehilli figuron e ndarë një parcelë në vendin Perivolo me nr e ngastrës 36/36/1 me sipërfaqe 5512 m2 e ndarë si tokë truall. Në Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) nuk mund të ndahej dhe ndalohej shprehimisht në referim dhe kuptim të Ligjit 7501 dt 19.07.1991 “Për Token”, ndarja e sipërfaqeve tokë truall. Një ndarje e tillë është absolutisht e paligjshme, e pavërtetë dhe një nga provat se jemi përpara një AMTP-je të falsifikuar. Komisioni i Tokës në Fshat në kohë, nuk mund te dispononte kurrsesi mbi një sipërfaqe toke truall, sikundër nga ana tjetër, kjo sipërfaqe ku është regjistruar AMTP në fjale në vitin 1994, momenti që gjoja është ndare me AMTP, kjo parcelë nuk ka qenë kurrë tokë truall,” thuhet në kallëzim. Po ashtu sqarohet se Jorgo Goro e ka nënshkruar këtë planvendosje.

“Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro ka konfirmuar duke nënshkruar planvendosjen e ngastrës 36/36/1 pa marrë fare parasysh konfigurimin e saj në hartë në raport me kufijtë e shënuar në AMTP dhe pa e verifikuar në raport me ngastrën që i përputhej kësaj pasurie në hartën kadastrale 1:5000 mbi bazën e të cilës është kryer ndarja e tokës bujqësore në kooperativën Gjilek-Dhërmi. Të gjitha veprimet e kundërligjshme të kryera nga Kryetari i Bashkisë Himarë, Këshilli i Qarkut Vlorë dhe ish-punonjësit e ZVRPP Vlore në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë kryer për shkak se kjo pasuri është tjetërsuar në favor të të tretëve dhe mbi këtë pronë, pasi është blerë, është marrë statusi i investitorit strategjik nga shtetasi Artan Gaçi, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i Ministres se Mbrojtjes në atë kohë, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme.