Ballina Vendi Vjosa, “Park Kombëtar”/ Edi Rama: Veprim kuptimplotë në Ditën e Verës dhe...

Vjosa, “Park Kombëtar”/ Edi Rama: Veprim kuptimplotë në Ditën e Verës dhe atë të Mbrojtjes së Lumenjve

1

Pas shpalljes së lumit Vjosa “Park Kombëtar”, lumit më të egër në Europë, kryeministrit Edi Rama ka gjetur ‘Ditën e Verës’ për ta cilësuar mbrojtjen e Vjosës si veprimin më kuptimplotë, ku po sot është Dita Botërore e Veprimit për Lumenjtë.

14 marsi, Ditë e Verës por edhe Dita Botërore e Veprimit për Lumenjtë na gjen me veprimin më kuptimplotë për mbrojtjen e Vjosës, lumit të fundit të egër në Europë, tanimë zyrtarisht Park kombëtar”, shkruan Rama në Facebook.

Ndërkohë, ditën e djeshme ishte ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro e cila bëri të ditur shpalljen e lumit Vjosa, “Park Kombëtar”, kategoria më e lartë e mbrojtjes.

“Kemi vendimin përfundimtar që e shpallim lumin e Vjosës, lumin e fundit të egër në Evropë, Park Kombëtar, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë si “Park natyror”. E kemi shtrirë këtë sipërfaqe mbrojtjeje në 12.727 hektarë, që është gjithë sipërfaqja ujore, sipërfaqja bregore e lumit, bashkë me disa sipërfaqe të tjera tokësore të cilat së bashku me të tre degët e lumit Vjosë: Lumi Drino, lumi Bënçë dhe lumi i Shushicës, bëjnë atë që quhet sot parku i parë në Evropë i një lumi të egër siç është lumi Vjosa”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Ndërkohë që në bashkëpunim me kompaninë “Patagonia” do të vijojë faza tjetër që ka të bëjë me planin e menaxhimit dhe hartimin e masterplanit të zonës për të parë ku mund të zhvillohen ekonomi tradicionale, ekoturizëm, ku do të jenë zonat strikte dhe ku nuk do të ndërhyhet fare.

Por në mbledhjen e sotme të qeverisë, mori statusin “monument natyre” edhe një specie e veçantë e cila bën pjesë në speciet e rrezikuara të zonave të mbrojtura që quhet ‘tulipani shqiptar’, i zbuluar në vitin 2003, ku rritet tipikisht në bashkinë e Kukësit.

/rtsh.al/