Ballina Lajme Vendimi i Qeverisë: Çfarë do përfitojnë gratë e papuna dhe me tre...

Vendimi i Qeverisë: Çfarë do përfitojnë gratë e papuna dhe me tre fëmijë nga 1 janari që vjen?

1

Tiranë- Grave të papuna me tre apo më shumë fëmijë të moshës deri në 18 vjeç, ku njëri prej fëmijëve është nën moshën 5 vjeç dhe familja ka të ardhura nën një milion lekë të vjetra në muaj, periudha e kujdesit ndaj fëmijës deri në moshën 5-vjeçare do njihet si periudhë sigurimi.

Kjo masë, vjen për efekt përfitimi pensioni pleqërie dhe barrëlindjeje. Kontributet e sigurimeve shoqërore për degën e sigurimit të pensioneve dhe degën e sigurimit të barrëlindjes do paguhen në nivelin e pagës minimale në shkallë vendi.

Referuar vendimit të Këshillit të Ministrave, Shërbimi Social Shtetëror përcakton listën e grave që përfitojnë mbrojtje të veçantë dhe çdo muaj llogarit dhe kryen pagesën e kontributeve, sipas parashikimeve të ligjit nr.9136, datë 11.9.2003.

V E N D I M

PËR NJË MBROJTJE TË VEÇANTË NGA SHTETI PËR GRATË E PAPUNA ME TRE APO MË SHUMË FËMIJË TË MOSHËS DERI NË 18 VJEÇ

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 58, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Grave të papuna me tre apo më shumë fëmijë të moshës deri në 18 vjeç, ku njëri prej fëmijëve është nën moshën 5 vjeç dhe familja ka të ardhura nën 100 000 (njëqind mijë) lekë në muaj, periudha e kujdesit ndaj fëmijës deri në moshën 5-vjeçare njihet si periudhë sigurimi për efekt përfitimi pensioni pleqërie dhe barrëlindjeje.

Kontributet e sigurimeve shoqërore për degën e sigurimit të pensioneve dhe degën e sigurimit të barrëlindjes paguhen në nivelin e pagës minimale në shkallë vendi.

Shërbimi Social Shtetëror përcakton listën e grave që përfitojnë mbrojtje të veçantë dhe çdo muaj llogarit dhe kryen pagesën e kontributeve, sipas parashikimeve të ligjit nr.9136, datë 11.9.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të udhëzimit të ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe çështjet sociale.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për zbatimin e këtij vendimi

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet nga data 1 janar 2023.