Ballina Lajme Vendimet/ Kushi: Libra falas çdo vit për nxënësit nga klasa e 1...

Vendimet/ Kushi: Libra falas çdo vit për nxënësit nga klasa e 1 në të 3! 45 milionë fond shtesë për shpërblimin e sportistëve elitarë

1

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka bërë me dije dy vendimet e marra në Këshillin e Ministrave në fushën e arsimit dhe sportit. Nxënësit e arsimit bazë, nga klasa e 1 në klasën e 9-të dhe 16 kategori në arsimin e mesëm do të kompletohen me tekste shkollore në përdorim falas.  Për nxënësit e klasës së parë deri në klasën e tretë, tekstet do të ofrohen falas çdo vit.

“Vendimi i parë ka të bëjë me tekset shkollore në arsimin parauniversitar. Vizioni kryesor i arsimit në Shqipëri është një sistem arsimor cilësor, dhe i barabartë. Ne kemi arritur të kompletojmë tekstet shkollore në përdorim falas për të gjithë nxënësit e arsimit bazë nga klasa e parë deri në të 9-tën, plus 16 kategori në arsimin e mesëm. Të lehtësojmë barrën financiare të familjeve dhe e kemi specifikuar që janë tekse shkollore në përdorim falas. Nxënësit pasi i përdorin për 1 vit librat falas, do i dorëzojnë që t’i përdorin nxënësit e tjerë. Tekset përdoren për 3 vite dhe më pas blihen tekste të reja. Ato tekste që janë të papërdorshme do të zëvendësohen dhe pas vitit të parë apo të dytë. Sot kemi vendosur që për nxënësit nga klasa e parë në të 3-tën tekstet të ofrohen falas çdo vit. Tekstet janë të tilla që mbi tekste ka shënime ku nxënësit duhet të shkruajnë dhe më pas është e vështirë t’i fshinë që të përdoren tekstet nga nxënësit e tjerë”, tha Kushi.

Ndërsa vendimi i dytë i marrë në Këshillin e Ministrave ka të bëjë me një shtesë fondi prej 45 milionë lekësh për shpërblimin e sportistëve elitarë.

Kemi kërkuar një buxhet shtresë për shpërblimin e sportistëve elitarë. këtë vit sportistët tanë elitar kanë patur rezultate të shkëlqyera. Këto rezultate i kanë tejkaluar planifikimet tona buxhetore. Për të përmbushur detyrimin tonë ligjor për ti shpërblyer, kishim nevojë për një shtesë fondi prej 45 milionë lekësh”, tha Kushi.