Kryetari i Partisë Demokratike zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha ka reaguar pas deklaratës së kryeministri Edi Rama për amnistinë fiskale. Për Berishën, ky është një projekt i zi që do të rrëzojë dhe godasë çdo shqiptarë të ndershëm dhe do të fuqizojë organizatat kriminale shqiptare në mbarë botën.
“Edi Rama u servir shqiptarëve çdo ditë, me qëndrime, vendime, ligje interesat e krimit, mafies, dhe klanit të tij personal. Duke bërë avokatin e këtyre interesave, Rama vret çdo ditë shpresën e shqiptarëve, errëson dritën në të ardhmen e tyre.
Në kundërshtim flagrant me interesa të çdo qytetari shqiptar dhe për llogari të klanit të tij mafioz dhe krimit të organizuar shqiptar, ai sfidon çdo shqiptar dhe mbarë komunitetin ndërkombëtar me projektin e amnistisë fiskale, çka do të thotë mbështetje e fuqishme e organizatave kriminale shqiptare, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën. Çfarë do të thotë, një proces gjigand i larjes së parave të krimit me procedura ligjore nga Shqipëria; Fuqizim i organizatave kriminale dhe mafies shqiptare në rajon, Europë dhe botë; Injorim tërësor i çdo forme të lirë konkurrence, një goditje fatale për biznesin e ndershëm shqiptar”, tha Berisha teksa dënoi me forcën më të madhe atë të cilën e quan projektin me të cilin Rama do kriminalizojë ekonominë shqiptare dhe do rrënojë qytetarët që kanë ndërtuar bizneset me mund dhe djers.
Më tej, Berisha u bëri thirrje deputetëve që të hedhin poshtë projektin e Ramës për amnistinë fiskale.
“Me këtë rast, dënoj me forcën më të madhe këtë projekt me të cilin Edi Rama për interesa të klanit të tij mafioz, dhe organizatave kriminale shqiptare, kërkon të kriminalizojë ekonominë shqiptare, të rrënojë të gjitha efektet e garës së hapur dhe të ndershme, të godasë ata të cilët kanë ndërtuar bizneset mbi ndershmërinë e tyre. Ky insistim i tij është një ndëshkim për mbarë shqiptarët dhe goditje e rëndë për perspektivën europiane. Çdo deputet që merr përsipër të votojë një akt të tillë kriminal, direkt apo indirekt, bëhet anëtar i një organizate kriminale që Europa se ka parë ndonjëherë. Thirrja ime është për çdo parlamentar, të hedhë poshtë si tepër të rrezikshëm për sigurinë e vendit projektin e zi të amnistisë fiskale të Edi Ramës dhe klanit të tij mafioz”, tha Berisha.
Më herët, kryeministri Rama , ndalur tek amnistia fiskale vlerësoi se duhej të ishte bërë para shumë kohësh pasi sipas tij do të ndihmojë në formalizimin e të ardhurave të emigrantëve. Rama tha se amnistia fiskale do të bëhet me çdo kusht ndërsa shtoi se edhe kritikët ndërkombëtarë dhe BE do ta kuptojnë se është e rëndësishme për t’u bërë ndaj kërkoi që të mbështesin procesin.