Punojnë gjithë vitin, prodhojnë në sasi të mëdha e me shpenzime, por në fund vaji i ullirit i fermerëve të Beratit mbetet i pa shitur. Medi Nazo thotë se ka 15 kuintalë vaj stok, pavarësisht se një litër kushton 500 lekë, sa vaji i misrit nëpër markete. Ai i bën thirrje qeverisë t’i rimbursojë naftën e të ulë plehrat e pesticidet.
Medi Nazo, një fermer nga Berati burimin e vetëm të të ardhurave ka ullirin, prej të cilit çdo vit merr me dhjetëra kuintalë vaj.
Vetëm ullirin kemi, nuk kemi gjë tjetër. Kemi dhe 4 dynym tokë që mund të mbjellim ndonjë grurë dhe asgjë tjetër”, thotë fermeri.
Nazo ka 300 rrënjë ullinj, për të cilat kujdeset përgjatë gjithë vitit, ndërkohë që thotë se shpenzimet për t’i bërë shërbim nga plehërimi deri në kultivim janë të mëdha.“Ne kemi 300 rrënjë ulliri afërsisht. Ullinjtë duan plehërim, spërkatje, transport dhe vjelje. Janë mbi 3 milionë lekë shpenzime. Ureja ka vajtur 140 mijë lekë kuintali, mesatarisht rrënjët duan 5 kile”, pohon Medi Nazo.
Por mundi i tij, nuk shpërblehet, pasi pjesën më të madhe të vajit e ka të pashitur, në një vlerë që arrin në 800 mijë lekë.“Kam 15 kuintal vaj ulliri të pa shitur. Nuk kemi gjetur treg për ta shitur, ku ta çojmë”, tha ai.
1 litër vaj ulliri, shitet nga fermerët aq sa sot qytetarët blejnë vajin e misrit me çmimin abuziv të vendosur nga tregtarët.“Në treg kemi tentuar ta shesin me 5 mijë lekë kilen. Prodhimin që kemi ne le të vijnë ta shohin ta marrin ta çojnë në laborator, dhe ta shohin nëse është i mirë. Se duam ta shesim”, thotë ai.
I gjendur përballë vështirësive, mungesës së kërkesës dhe stokut të pa shitur të vajit të ullirit, Medi Nazo thotë se shteti duhet ti ndihmojë.
“Nuk kemi marrë asnjë mbështetje nga shtete, madje akoma nuk e kam marrë ende naftën falas. Të na ulin plehrat dhe pesticidet”, shprehet fermeri nga Berati.
Duke qenë se vaji i ullirit në disa raste shitet edhe më lirë se 500 lekë, pritet të ketë rritje të kërkesës nga qytetarët në vijim.