Udhëheqësit e G7-ës kanë mbërritur në Japoni për samitin e G7-ës, ku janë mirëpritur nga Kryeministri japonez Fumio Kishida. Ky i fundit ka kërkuar që bisedimet për çarmatimin bërthamor të jenë në krye të axhendës këtë fundjavë, ndonëse pushtimi rus i Ukrainës mbetet tema dominonte e këtij samiti.
Udhëheqësit e G7-ës kanë vizituar vendin përkujtimor të Parkut të Paqes në Hiroshima dhe kanë hyrë në muze, kjo pasi ishte Kishida ai i cili këmbënguli që liderët jo vetëm të vizitonin memorialet, por edhe muzeun, i cili dokumenton shkatërrimin e shkaktuar nga bomba atomike në Luftën e Dytë Botërore.
Marrëdhëniet me Kinën do të jenë gjithashtu një temë kyçe, pasi udhëheqësit e G7-ës kërkojnë të sigurojnë një “rajon të lirë dhe të hapur Indo-Paqësor”.
Protesta
Ashtu si me samitet e mëparshme të G7, protestuesit që kundërshtojnë grupin janë mbledhur pranë vendit ku do të mbahet samiti, duke mbajtur në duar pankarta kundër luftës.
“Jo samitit! Jo luftës”, thërrisnin protestuesit, të cilët ishin veshur me maska dhe mushama. Policia ka ndërhyrë menjëherë duke bërë shpërndarjen e turmës.
Vizita e Zelenskyt në Japoni
BBC raporton se pjesë e samitit të dielën do të jetë edhe Presidenti ukrainads Volodymyr Zelensky, ndonëse nuk ka ende asnjë njoftim zyrtar mbi këtë udhëtim.
SHBA, Britania e Madhe dhe BE-ja kanë shënuar të gjitha sanksione në rritje ndaj Rusisë.
Pse po mbahet samiti në Hiroshima?
G7 këtë vit, është ndoshta më saktë një samit i G15.
Vendi pritës, Japonia ka zgjeruar listën e ftesave për të përfshirë Australinë, Indinë, Brazilin, Korenë e Jugut, Vietnamin, Indonezinë, Komoret (që përfaqësojnë Bashkimin Afrikan) dhe Ishujt Kuk (që përfaqësojnë Forumin e Ishujve të Paqësorit).
Ndër qëllimet e kryeministrit Fumio Kishida për samitin, janë shfaqja e një “fronti të bashkuar” për pushtimin rus të Ukrainës dhe reagimi ndaj shfaqjes në rritje të forcës ushtarake të Kinës në Paqësorin Indo.
Ishte në Hiroshima në gusht 1945 kur SHBA hodhi bombën e parë atomike në botë gjatë luftimeve të Luftës së Dytë Botërore, duke vrarë dhe gjymtuar qindra mijëra njerëz dhe duke shkaktuar shkatërrim të plotë.
Kujtimet e asaj tragjedie historike ende qëndrojnë në qytet, duke përfshirë një kube buzë lumit që ishte e vetmja strukturë e mbetur në këmbë në qytet pas bombës.
Hiroshima është gjithashtu vendlindja e kryeministrit japonez Fumio Kishida. Zyra e tij ka thënë se G7 parashikon një botë pa armë bërthamore dhe çarmatimi ka të ngjarë të jetë tema që ai do të shtrojë në samit.
Samiti vjen pasi udhëheqësit perëndimorë paralajmërojnë Rusinë kundër përdorimit të armëve bërthamore në luftë dhe Koreja e Veriut ka rritur testimin e raketave balistike dhe armëve bërthamore.
/rtsh.al/