Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Ksamil. Një vajzë minorene me inicialet E.Gj 14 vjeç, me origjinë nga Durrësi, por me banim në Itali është transportuar para pak çastesh me helikopter nga Spitali i Sarandës drejt Spitalit të Traumës.
Ajo është sjellë me urgjencë në Spitalin e Sarandës nga Ksamili.
Burime paraprake bëjnë me dije se e reja kishte qenë duke lundruar me një mjet ujor tip jet-ski, kur është aksidentuar dhe ka pësuar fraktura, plagë logero-kontizue .
Për shkak të gjendjes dhe për një mjekim më të specializuar është nisur me helikopter drejt Tiranës. Policia ndërkohë ka nisur hetimet në vendin e ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Sot, në Ksamil, shtetasi G. Gj., 20 vjeç, duke lundruar me një mjet lundrues Jet Ski së bashku me motrën e tij 14-vjeçare, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit lundrues dhe si pasojë e rrëzimit në det, ka mbetur e dëmtuar shtetasja e mitur.
14-vjeçarja do të dërgohet për ndihmë mjekësore të specializuar në Tiranë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Mjeti lundrues është shoqëruar në portin e Sarandës për verifikime të mëtejshme nga Policia Kufitare.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rastit.