Një 39-vjeçar është arrestuar në Shkodër pasi akuzohet për vjedhje me dhunë, në disa banesa, të shumave të mëdhaja të parave në lekë dhe në paund dhe të sendeve me vlerë.
Policia bën me dije se 39-vjeçari me inicialet P.F., rezulton të jetë me precedent të theksuar kriminal për vjedhje me armë dhe me dhunë, në qytetet e Shkodrës dhe në Lezhë.
Ndaj tij Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vjedhje me dhunë.
39-vjeçari dyshohet se më datën 25 shtator 2022, në fshatin Kosmaç, Vau i Dejës, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë vjedhur me dhunë, në banesën e shtetases A. J., 46 vjeçe, 1500 paund, bizhuteri dhe sende të tjera, me vlerë.
Nga hetimet ka rezultuar se ai është autor edhe i disa vjedhjeve të tjera më dhunë, në bashkëpunim me shtetas të tjerë.
Më datë 11 Shtator 2022, në lagjen “Manush Alimani” në Shkodër, në bashkëpunim me persona të tjerë, 39-vjeçari ka hyrë me forcë në banesën e shtetases F. D., dhe kanë marrë një shumë parash.
Më 23 Tetor 2022, në lagjen “Skenderbeg” të Shkodrës ka vjedhur një tjetër banesë në bashkëpunim me persona të tjerë, ku kanë marrë me dhunë rreth 600.000 lekë dhe sende me vlerë.
Nga veprimet hetimore rezultoi gjithashtu, se shtetasi P. F. ishte kthyer deportiv nga Belgjika, ku kishte kryer dënimin, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
39-vjeçari është edhe me precedent të theksuar kriminal, për vjedhje me armë dhe me dhunë, në Shkodër dhe në Lezhë, në periudhën kohore 2009-2014, ku dhe ka kryer disa vite burgim.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë, bashkëpunëtorë të këtij shtetasi, si dhe për zbardhjen e dokumentimin e vjedhjeve të tjera të ndodhura ndër vite, që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.