
Duhet të gjesh një mik në qeveri, si në Shqipëri”, kështu i këshillonte këngëtarja Elsa Lila anëtarët e tjerë të organizatës kriminal në Itali ku bënte pjesë, ku duket se kishte një rol shumë të rëndësishëm. Mediat italiane kanë publikuar përgjimet që fundosën këngëtaren, e cila u arrestua dje për trafik droge, ndërsa organizata përbëhej nga 13 persona, italianë dhe shqiptarë, 9 prej të cilëve ranë në prangat e policisë.
Këngëtarja kujdesej për paratë dhe mbi të gjitha mbante kontabilitetin, librin në të cilin grupi kriminal regjistronte marrëveshjet e bëra me shitjen e kokainës, hashashit dhe mariuanës. Po ashtu ajo ishte edhe një lloj “këshilltareje”, ku i kërkonte anëtarëve të bandës që të krijonin lidhje në qeveri “si në Shqipëri”. “Si mund të gjesh një të njohur brenda institucioneve shtetëror? Kjo është zgjidhja… E di që nuk ke besim, por një lidhje në shtet është e dobishme… si në Shqipëri… sepse të shpëton, çfarëdo qoftë qeveria, duhet ta kesh edhe atje”, thuhet në përgjime, ku ajo fliste me një tjetër anëtarë të organizatës.
Ata ishin organizuar në mënyrë të thjeshtë por efikase. Kishin një shtëpi në Torrevewhia dhe një garazh në Acilia për të mbajtur drogën, makina në emër të të tjerëve për ta lëvizur atë dhe dy bare fikse ku takoheshin për mbledhje.
Në krye të kësaj organizate ishin italianët Vivas Caffè dhe Antica Sapori di Acilia, Fabrizio Capogna dhe boksieri shqiptar Petrit Bardhi, i njohur si “Titty”, të cilët takonin klientë dhe personalitete të kalibrit të rëndësishëm kriminal.

Bardhi është i ngushtë i Arben Zogut, 40 vjeç, i njohur si ultras i ekipit të Lacios. Zogu i cili njihet me emrin “Riçardino” u dënua me 20 vite burg me akuzën e përfshirjes në trafikun e drogës.
Arben Zogu bashkë me dy shqiptarë të tjerë Orial Kolaj, 30 vjeç dhe Petrit Bardhi, 39 vjeç, u arrestuan gjatë një operacioni të policisë italiane në vitin 2015. Ata ishin pjesë e grupit mafioz “Guarnera”, e përbërë nga një grup i madh qytetarësh shqiptarë, që cilësohen si “boksierët”.