Tymi nga zjarret kanadeze që ka zbritur në pjesë të SHBA-së lindore si një mjegull e dendur ka mbërritur në Norvegji dhe pritet të përhapet edhe Evropën Jugore, thanë zyrtarët norvegjezë.
Duke përdorur një model të parashikimit të klimës, shkencëtarët e atmosferës dhe klimës me Institutin Norvegjez të Kërkimit të Klimës dhe Mjedisit (NILU) parashikuan se tymi do të arrijë në pjesë të tjera të Evropës gjatë ditëve të ardhshme.
“Tymi nga zjarret e pyjeve në Kanada ende po përhapet mbi Norvegji . Ai gjithashtu do të arrijë në pjesë të tjera të Evropës gjatë ditëve të ardhshme”, bën me dije instituti ndërsa shpjegon se nuk pritet të përbëjë rrezik për shëndetin atje, pasi kur arrin në Evropë, sasia e tymit është shumë më i ulët.
“Tymi ka lëvizur mbi Grenlandë dhe Islandë që nga 1 qershori dhe vëzhgimet në Norvegjinë jugore kanë regjistruar përqendrime në rritje të grimcave të aerosolizuara“, tha institucioni i pavarur kërkimor.
Kjetil Torseth, drejtor i kërkimeve në NILU, tha se me rritjen e temperaturave për shkak të krizës klimatike, zjarret në pyje ka të ngjarë të jenë më të zakonshme dhe të përmasave më të mëdha. “Kështu që mendoj se këto lloj episodesh do të jenë më të zakonshme në të ardhmen. Dhe ato, natyrisht, kanë një ndikim në klimë”, tha ai.
Kanadaja dhe bregu lindor i SHBA-së kanë përjetuar nivele të rrezikshme të ndotjes nga zjarret kanadeze, kryesisht në provincën lindore të Quebec. Zona masive të ajrit të pashëndetshëm shtriheshin deri në mesperëndim të SHBA.
E mërkura ishte dita më e keqe për ndotjen e ajrit nga zjarret në historinë e fundit të SHBA-së në të njëjtën ditë që Nju Jorku dhe Detroit raportuan cilësinë më të keqe të ajrit në botë.
Tymi ka vënë më shumë se 110 milionë amerikanë nën paralajmërimet toksike të ajrit, ka çuar në vonesa të fluturimeve në aeroportet kryesore, ka shkaktuar shtyrjen e ndeshjeve të Ligës së Madhe të Basebollit dhe i ka shtyrë njerëzit të nxjerrin maska për fytyrën të epokës së pandemisë.
Kanadaja ka kërkuar ndihmë për të luftuar më shumë se 400 zjarre në mbarë vendin, sipas The Guadian.
/rtsh.al/