Ballina Kulture TV Kombi shpreh mirënjohjen për të paharruarin Fuat Boci në ditën e...

TV Kombi shpreh mirënjohjen për të paharruarin Fuat Boci në ditën e tij të lindjes. Mbete mik i rrallë në bashkëpunimet tona.

3

Më gjashtë mars të vitit 1931 do të vinte në jetë një fëmije që do ta quanin Fuat Boçi. Sot do të festonte 92 vjetorin e ditëlindjes së tij, nëse nuk do të ishte ndarë nga jeta thuaj tre vjet më parë. Një emër që të gjithë që e kujtojnë do të vënë buzën në gaz për artin e tij të mrekullueshëm sa në skenën e teatrit “Bylis”, apo dhe në shumë realizime televizive.

Rrugën e artit Boçi e nisi qysh në moshë të re dhe është një nga themeluesit e Estradës së Fierit. Fuat Boçi spikati për talentin e tij si aktor komik dhe si këngëtar në vitet e ushtrisë dhe është një ndër aktorët themelues të Estradës së Fierit, më 1957. Në vitin 1965, vijoi studimet në liceun artistik “Jordan Misja”, pa shkëputje nga puna. Boçi ka marre pjesë në rreth 160 premiera duke luajtur mbi 600 role. Ai ka luajtur shumë role edhe në pjesë për fëmijë, në teatrin e kukullave të qytetit.

U bë thuajse proverbial me Belulin te monologu “A doni më për Belulin”, nivel të cilin e arriti edhe me rolin e Lipe Shtogut të skeci, “Lipja prapa liste” e Pëllumb Kullës, Llazi me skecin tjetër “Llazi u bë me tapi”, Dalipi në skecin “ Ëndrra e Dalipit”, Jonuz Beu në komedinë e shkurtër “O burra se na zunë”, Ndoni në skecin “Përgjegjësi i sektorit”, etj. Ai mbetet i dashur për publikun edhe në rolet e Zenelit te komedia “Pas vdekjes” e Çajupit, dajua te “Shi në plazh”, Sotiri tek komedia “Një budalla e gjysmë”, etj.

Pikërisht për figurën e tij, punën me përkushtim dhe talentin e spikatur për karakteret e ndryshme artistike është nderuar ndër vite me shumë çmime. Fuat Boçi mban titullin “Qytetar Nderi i Fierit” dhe “Artist i merituar”.

Fuat Boci ka qenë një mik i TV Kombit dhe kanë pasur një bashkëpunim shumë të arrirë dhe në arkivin e tij ruan emocionet e papërsëritshme në interpretimet e materialeve të ndryshme humoristike në mënyrë të veçantë në festat e ndërrimit të viteve ekrani do të lezetohej nga interpretimet e tij. Për këtë dhe shumë arsye të tjera Fuat Boci do të mbetet kurdoherë i paharruar në mënyrë të veçantë nga qytetarët fierakë./Tv Kombi/