Mesi muajit maj pritet të çelet sezoni turistik veror por operatorët turistik duket se nuk ndihen komod me cilësinë e shërbimeve që mund të ofrohen në vendin tonë për shkak të mungesës jo vetëm të stafeve të kualifikuara por edhe të stafeve të thjeshta.
Kreu i Unionit Turistik të Shqipërisë thotë se ka shumë vështirësi në gjetjen e stafit për shkak të largimeve masive duke u detyruar të rekrutojnë punonjës nga vendet aziatike.
“Edhe staf i thjeshtë po merret nga vendet aziatike, njerëzit e kualifikuar kanë ikur në Gjermani dhe Greqi, sepse po kërkon kamarierë me 1 mijë euro pagën plus akomodimi e ushqimi i siguruar nga ata. Nëse ne kemi rritur standardet sa i përket akomodimit, duhen justifikuar, kemi rritur dhe çmimet por nëse nuk ia kthejmë me një shërbim cilësor do të kemi një përshtypje të keqe,” thotë Rrahman Kasa.
Aktualisht turizmit i mungojnë rreth 100 mijë vende pune ndërkohë që kërkesat për turizmin e organizuar kërkojnë shtim të rreth 5 charterave.
“Deri më tani janë mbyllur prenotimet pothuajse në 80% të kapacitetit ndërkohë që kërkohet të shtohen chartera”- shpjegon Kasa.
Në një takim mes operatorëve u diskutua për krijimin e lehtësirave dhe subvencionimin e subjekteve që punojnë vetëm 6 muaj dhe gjatë dimrit janë të detyruar të mbyllin aktivitetin.