Ballina Lajme Social Sipas Lira Gjikës ky është gabimi i pafalshëm që bëjnë familjarët kur...

Sipas Lira Gjikës ky është gabimi i pafalshëm që bëjnë familjarët kur një çift divorcohet: “Fëmijët dëgjojnë dhe ndihen shumë keq”

0

Nga Lira Gjika

Divorci sot është çështje dite. Ne si shoqëri, sa rrimë e ankohemi se çfarë kohësh kanë ardhur, duhet ta pranojmë dhe të ndërtojmë struktura e mekanizma që ky proces të zhvillohet pa trauma. E keqja nuk është divorci, por qëndrimet dhe sjelljet e të rriturve duke filluar nga vetë autorët e divorcit, që harrojnë se janë edhe prindër dhe si prind nuk divorcohesh dot. Fëmijët e prindërve që divorcohen nuk kuptojnë nga konflikti burrë-grua. Ata dinë një gjë: që ky burri dhe kjo gruaja, të cilët zihen me njëri tjetrin, janë mami dhe babi i tyre dhe ata nuk mund të kuptojnë jetën pa të dy. Mirëpo, prindërit dhe të afërmit e palëve në “luftë”, në vend që të merren me fëmijët dhe t’u zbusin ankthin, shfryjnë dhe etiketojnë, pa u kujtuar se flasin për nënën dhe babanë e fëmijës.

Kujdes ju gjyshër, daja, xhaxhallarë së bashku me tezet dhe hallat, kur shani dhe përgojoni prindërit që divorcohen, se fëmijët dëgjojnë dhe ndihen shumë keq. Për më tepër kjo sjellje nga ana juaj tregon vetëm mospërfillje dhe harresë për ta.

Harresa e fëmijës! Ky është problem në divorc, jo divorci. Tashmë është vërtetuar edhe shkencërisht, divorcet e qeta, ku respektohet dhe vlerësohet të qenit prind, nuk gjymtojnë. “Gjymtimi” ndodh aty ku fëmija harrohet.

Paaftësia e të rriturve duke filluar nga prindërit, të cilët nuk menaxhojë dot situatën e tyre emocionale dhe harrojnë që janë prindër të fëmijëve të tyre, e kthen fëmijën në një objekt që përdoret për ndëshkim dhe hakmarrje. Kjo është e keqja që gjymton dhe shkatërron dhe që duhet mbajtur parasysh në ngjarje e situata të tilla. Të rriturit duhet të kujtojnë vazhdimisht parimin numër një, i cili është në interesin më të lartë për fëmijën.