Një tragjedi e paimagjinueshme ka ndodhur në Meksikë, ku të paktën 39 persona kanë humbur jetën dhe 40 janë plagosur, pas një zjarri që shpërtheu në një kamp emigrantësh në kufirin me SHBA-në. Zjarri shpërtheu në Institutin Kombëtar të Migracionit (INM) në Ciudad Juárez mbrëmjen e së hënës.
Zjarri, një nga më vdekjeprurësit në vend prej vitesh, vjen ndërsa SHBA dhe Meksika luftojnë për t’u marrë me nivele rekord të kalimeve kufitare në kufirin e tyre të përbashkët.
Javët e fundit ka pasur një rritje të numrit të emigrantëve që mbërrijnë në qytetet kufitare meksikane, ndërsa autoritetet përpiqen të përpunojnë kërkesat për azil duke përdorur një aplikacion të ri të qeverisë amerikane të njohur si CBP One.
Janarin e kaluar, administrata Biden njoftoi se do të zgjeronte kufizimet e kohës për dëbimin e përshpejtuar të emigrantëve nga Kuba, Nikaragua dhe Haiti të kapur duke kaluar ilegalisht kufirin SHBA-Meksikë në një përpjekje për të frenuar fluksin e emigrantëve.
Në të njëjtën kohë, SHBA njoftoi se do të lejojë deri në 30,000 njerëz nga këto tre vende plus Venezuelën të hyjnë në vend me rrugë ajrore çdo muaj./ Reuters
/rtsh.al/