Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka pritur në një takim një prej tifozëve më të njohur të ekipit kombëtar, Besmir Limani.
Limani jeton në Zvicër dhe ka depozituar kërkesën për t’u pajisur me pasaportë shqiptare, për të cilin Balla tha se ai është tifozi që ka shoqëruar kudo kombëtaren shqiptare.
“Kënaqësi të mirëpres sot tifozin-shqiponjë Besmir Limani, i cili e ka shoqëruar kombëtaren tonë kuq e zi kudo. Besmiri i cili jeton prej shumë vitesh në Zvicër, depozitoi edhe kërkesën për tu pajisur me pasaportë shqiptare”, shkruan Balla.
Ai ka theksuar më tej se të gjithë sportdashësit e tifozët duhet ta mbështesin ekipin, dhe të mos bëhen shkas për dënime të fushës në Tiranë.
Ministri i Brendshëm i ngriti këtë shqetësim pas ndeshjes së kaluar, ku u hodhën mjete piroteknike në fushë, të cilat nëse përsëriten, rrezikojnë që të dënohet fusha nga drejtuesit e UEFA-s.
Për këtë arsye Balla theksoi se “duhet ta mbështesim ekipin kombëtar, dhe meqë ti je ndër tifozët më të zjarrtë e më prezentë, besoj që duhet t’u bëjmë një thirrje tifozëve që të sillen realisht si “lojtar i 12”.
“Nuk duhet të bëjnë asnjë dëm, qoftë hedhje të flakadanëve dhe gjithçka tjetër në fushë, sepse na dëmton për ndeshjen e fundit në grup me Ishujt Faroe. Pra duhet që kësaj radhe, gjithçka të shkojë fjollë!”, shkruan Balla.
Balla theksoi më tej se kërkesa e Limanit për shtetësi dhe pasaportë shqiptare do të shqyrtohet në bazë të parashikimeve ligjore, duke i dhënë edhe prioritetin e duhur në këtë rast, sipas kushteve të programeve të veçanta të shtetësisë.