Afrimi i festave të fundvitit çdo vit e ka gjallëruar qytetin e Fierit përmes ngritjes së qendrave të argëtimit dhe festimit për të gjithë grupmoshat. Në këtë kontekst bashkia e Fierit ka drejtuar një kërkesë për shprehje interesi me subjekt atë të krijimit të atmosferës festive dhe vendosjes së lojërave argëtuese në qytet. Fokusi i thirrjes synon për t’u ofruar qytetarët një atmosferë festive sa më të bukur dhe argëtuese.
Thirrja i drejtohet të gjithë subjekteve të shërbimit në fushën e lojërave për fëmijë, të cilët janë të interesuar për ta kryer këtë shërbim në hapësirat publike të qytetit Fier. Për këtë qëllim pushteti vendor do të vërë në dispozicion sheshin pranë shëtitores së re “Muharrem Agolli” dhe sheshin qendror të qytetit në një sipërfaqe prej 200metra katrorë.
Të gjithë subjektet e interesuara duhet të lutur të paraqesin deri në ditën e fundit të muajit nëntor projekt idenë, ku të specifikohen qartë menaxhimi i shërbimit në cilësi, sasi, hapësirë, kohështrirje, si dhe garantimi teknik i të gjitha lojërave nëpërmjet të cilave do të ofrohet shërbimi për fëmijët dhe qytetarët. Oferta ekonomike e mbyllur në një zarf në të cilën duhet të specifikojë nivelin e pagesës për metër katrorë në muaj që subjekti i shërbimit mendon të ofrojë për periudhën e zbatimit të projekt – idesë së vet në qytetin e Fierit.
Gjithashtu kërkohen foto të lodrave që do të vendosin dhe planvendosja e tyre. Dokumentacioni duhet të dorëzohet në zyrën e protokollit pranë Bashkisë Fier, brenda datës 30.11.2022 ora 16:00, ndërkohë që kërkesat ndodhen të pasqyruara në faqen bashkisë së Fierit. Me rëndësi të veçantë është që të gjithë të interesuarit që do të bëhen pjesë e kësaj thirrje duhet të garantojnë me përgjegjësi të plotë sigurinë e lodrave dhe lojërave që mendojnë të vendosin.
Ato duhet të plotësojnë të gjithë elementët teknikë, të garantojnë sigurinë e jetës dhe shëndetin e përfituesve të shërbimit (qytetarëve), gjithashtu ato duhet të jetë të harmonizuara me atmosferën e festive./Tv Kombi/