Detaje të reja për ngjarjen që tronditi Tiranën pasditen e së premtes, ku një 49-vjeçar u vra në një lokal në rrugën “Fadil Bodinaku” në Tiranë.
Edmond Papa u qëllua me 9 plumba dhe humbi jetën rrugës për tek Trauma.
Autori mbetet ende i paidentifikuar nga policia, teksa grupi hetimor ka shoqëruar disa persona që ishin të pranishëm në vendin e ngjarjes. Po kështu janë sekuestruar dhe pamjet e kamerave të sigurisë, jo vetëm të vendit të krimit, por edhe subjekteve pranë, për të bërë të mundur zbulimin e autorit.
Gazetari Igli Çelmeta raportoi për “BalkanWeb” se viktima kishte dy mbiemra dhe njihej gjithashtu si Edmond Hoxha. 49-vjeçari ishte me origjinë nga Fieri, por banonte prej vitesh në Sarandë ku dhe kishte shtrirë aktivitetin e tij në fushën e biznesit, kishte disa prona dhe biznese, mes tyre dhe hotelin e njohur Blu Sky.
Edmond Papa kishte ardhur të premten nga Saranda në Tiranë dhe u qëllua pak metra larg nga banesa e të vëllait. Sipas rindërtimit të skenës së krimit, autori e ka qëlluar nga distancë e afërt 49-vjeçarin dhe ka zbrazur mbi të plot 9 plumba.
Policia dyshon se vrasja ka ndodhur për larje hesapesh. Mësohet se 49-vjeçari kishte precedent në fushën e narkotikëve dhe se më parë ka qenë i dënuar në Greqi për drogë.