Ditën e djeshme, në 30-vjetorin e vizitës së Papës Gjon Pali II në Shqipëri, u përurua skulptura e re e Nënë Terezës. Ajo u vendos në aeroportin e Rinasit dhe u punua nga artisti Ilirian Shima.
“Është një vepër që i bën mirë Shqipërisë. Unë doja ta shikoja si frymë. I hoqa trupin që t’i dukej ideja. Mori statusin e të përjetshmes. E bëra brenda një viti. Më pak se një vit, kohë rekord. Bardhësia dhe ujërat e mermerit e mbështesin shumë dhe idenë e Nënë Terezës,” –u shpreh Shima.
Pas fotove të cilat u publikuan nga inagurimi, ku Nënë Tereza shfaqet me kokën ulur dhe fytyrën e mbuluar, gazetari Arsen Rusta reagoi ashpër duke thënë se fytyra e shenjtores nuk mund kurrsesi të mbulohet.
Ai shkroi:“Nënë Tereza me fytyrë të mbuluar!!! Po si mundet kjo more… Po me Nënë Terezën çfarë patët?! Afro 9 vit më parë i madhi Maks Velo do të linte me intervistën e tij, detyrën e papërfunduar të një skulpture dinjitoze asokohe të Nënë Terezës sot Shenjta Terezë. Po si mundet që përçundimi i kësaj gruaje të madhe me gjak shqiptari t’i bëhet gjithmonë në portën kryesore ku futen të huaj e shqiptar në vendin e saj, vendin e shqiponjave. Aeroportin e Rinasit,
E dyta, skulptura e parë hequr nga Rinasi si e padenjë.
E treta, skulptura e dytë vendosur por jo më e mira në një rreth-rrotullim ku nga një anë duket veç kurrizi!
Fotot e fundit janë skulptura me fytyrë të mbuluar e Shenjtë Terezës, inaguruar dhe promovuar me pompozitet edhe si investim i një banke të nivelit të dytë! Po si mund t’i mbulohet fytyra një zonje kaq të madhërishme…..Kush guxon ta bëjë këtë në një vend me tolerancë fetare, pak ditë pasi Myslimanët kanë festuar denjësisht Ramazanin dhe Katolik e Ortodoks pashkët. Kujt i vjen zor nga fytyra e shqiptares më përfaqësuese! Të nderuar, përfaqësues të aeroportit, Ministrisë së Kulturës, Bankës, i nderuar skulptor, çdo art ka vlerë pasi në shumicën e rasteve abstraksioni në vetvete është art. Por Fytyra e Shenjtë Terezës s’mund të mbulohet për asnjë shije. Në atë fytyrë ka Shqipëri, ka rrudha, ka vite jetë, ka histori, ka shije, ka zhgënjim, ka shpresë, ka jetë njeriu! I ndjerë i fyer nga mbulimi i fytyrës së Shenjtë Terezës, unë Myslimani Arsen Rusta bëj apel që kjo skulpturë të hiqet një orë e më parë nga ai vend publik dhe kombëtar. Ne s’kemi pse fshehim historinë dhe identitetin tonë.”