Kanë mjaftuar vetëm 15 minuta stuhi të pazakontë në fshatin Kalenjë të Mallakastrës që dhjetëra rrënjë ullinj të shkulen nga rrënjët dhe çati shtëpish të shkatërrohen. Banorët tregojnë se një stuhi e tillë nuk ka ndodhur kurrë në zonën e tyre. Sipas tyre, stuhia u përqendrua në lagjen “Paja“ ku dhe dëmet ishin më të mëdha.
“Nuk u besonim syve, ullinjve shekullore dhe atyre 30- vjeçare u thyheshin degët dhe shkuleshin nga rrënjët ndërsa tjegullat e çative fluturonin gjithandej. Fatmirësisht ndodhi pasdite“, thonë të shokuar banorët, kohë në të cilën banorët ndodhen në shtëpitë e tyre, pasi stuhia mund të kishte dëmtuar edhe njerëz.
Banorët pohojnë gjithashtu se në terren nuk ka dal asnjë grup verifikimi për të parë nga afër dëmet teksa shprehen mosbesues për dëmshpërblime pasi sipas tyre Kalenja është një fshat i lënë tërësisht në harresën e investimeve.
Përballë kësaj situate ata apelojnë njëzëri për ndihmë nga shteti pasi ndihen të braktisur dhe të lënë në mëshirë të fatit.
Gazetar: Norel Zaimi
/rtsh/